Karantina shtetërore për ata që nuk kanë test të vlefshëm negativ të COVID 19 dhe vetizolimi i domosdoshëm do të vazhdojnë edhe më tej për të gjithë ata qytetarë që do të dëshirojnë të hyjnë në Maqedoninë e Veriut.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe deklaroi se trendi i rritjes së numrit të të infektuarve dhe viktimave, do të shtyjë edhe pak hapjen e kufijve.
“Funksionon ende karantina shtetërore e zëvendësuar me vetë izolimin në shtëpi nëse ai që vjen në vendin tonë dëshmon PCR test i cili nuk është më i vjetër se 72 orë. Serbia i hapi Kufijtë, Bullgaria po ashtu, mendoj se ne në disa ditët e ardhshme duhet të bisedojmë për këtë, por gjatë kësaj duhet të ndjekim numrat. Mendoj se nuk duhet të shpejtohemi me vendim në situatë kur kemi rritje të numrit të pacientëve të diagnostikuar” deklaroi Filipçe.
Ministri Venko Filipçe shtoi se ka biseduar me ministrin bullgar me të cilin e ka lënë që të dëgjohen përsëri për çështjen e hapjes së kufijve.
Ai shtoi se deri më tani qytetarët që kanë dashur të udhëtojnë jashtë Maqedonisë kanë dërguar kërkesë me shkrim në Qeveri, e cila ka analizuar arsyet e udhëtimit dhe protokollet që duhet të ndiqen.
Të gjithë fqinjët dhe shumica e vendeve të rajonit nga sot kanë hapur kufijtë dhe qytetarët e atyre vendeve do të mund të qarkullojnë. Gjatë javës së kaluar, autoritetet ne vendit tonë, deklaruan se me gjasë deri më 15 qershor Maqedonia e Veriut do të mund të hapë kufijtë, qëndrim që ndryshon me rritjen e madhe të numrit të të infektuarve me Covid 19.