Nga pesha e tepërt dhe sëmundja e bronhitisit që e kishte Muhamet Ramadani tri vjet më parë, babai i tij, Shabani kishte vendosur ta angazhonte në ndonjë sport. Rastësisht, prindi, Shabani, takohet me profesorin e tij, Mustafë Rrustemi, trajner i Klubit të Atletikës Trepça, të cilit i kërkon këshillë se ku ta drejtojë djalin. Mustafa e drejton tek klubi i tij, duke ia caktuar edhe disiplinën hedhje (shtytje) e gjylës.
Muhameti që kishte peshë të tepërt, nis të heq kilogramët e tij dhe me këtë të tregojë edhe talentin, duke mos i munguar edhe rezultatet, të cilat për tri vjet ia siguruan pjesëmarrjen në ngjarjen më të madhe botërore të sportit për të rinj, Lojërat Olimpike Verore, Buenos Aires 2018.
“Për shkak të bronhitisit është dashur që për muaj të tërë t’i japim inhalim. Nga trajneri i tij kërkoja të më tregonte se si ta ushtroja edhe në shtëpi. Na hyri në gjak kjo disiplinë dhe ia rregullova edhe oborrin e shtëpisë për të stërvitur”, tregon historinë e karrierës së Muhametit, prindi i tij, Shabani.
“U bëra trajner personal, fillova të kërkoja në internet stërvitje të ndryshme, pasi kërkohej vazhdimisht angazhim dhe kohë e madhe. Prej 2-4 orë në ditë merresha me të”, shton Shabani.
Muhameti, tani 16-vjeçar, në fillim hedhte “topin e hekurt” në 4 kg, kurse më pas 5 kg. Me pesë kilogramë arriti të fitojë normën për të garuar në Kampionatin Evropian të Atletikës për të rinj, pasi në Kampionatin Ballkanik Stamboll 2014, zuri vendin e katërt, duke hedhur gjylën në largësi 17.01 metra.
Rezultati i ndryshoi këtë vit në stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, duke e hedhur gjylën 18.32, rezultat ky që i është pranuar nga Federata Evropiane e Atletikës, të cilët ia dërguan më pas ftesën për të përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike Verore për të rinj, Buenos Aires 2018.
“Më është realizuar ëndrra. Në Buenos Aires synoj ta hedh gjylën 18.50 metra”, shprehet Muhameti, që nuk dëshiron shumë të flasë.
Ai stërvit deri në tri orë në ditë për të arritur këtë rezultat, i cili do t’ia sillte ndonjë pozitë të mirë në renditje. “Stërvitem në shtëpi, në stadiumin Adem Jashari, si dhe në fitnes tek trajneri i fitnesit, Kadri Braha”.
Muhameti të hënën e 1 tetorit udhëton drejt Buenos Aires të Argjentinës, bashkë edhe me trajnerin Mustafë Rrustemi. Në gara do të dalë më 12 tetor.
Lojërat Olimpike Verore për të rinj, Buenos Aires 2018, mbahen prej 6-18 tetor. Kosovën e përfaqësojnë edhe katër sportistët tjerë: Xhudistja Erza Muminoviq, e vetmja me normë, notarja Melisa Zhdrella, boksieri Erdonis Maliqi dhe peshëngritësi, Bleron Fetaovski, të tre këta me ftesë.