Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, kanë marrë pjesë në fillimin e punimeve të segmentit të ri Lumëmadh-Gojbulë, të rrugës Nacionale M2, Prishtinë-Mitrovicë, raporton Ekonomia Online.
Punimet për ndërtimin e magjistrales Prishtinë-Mitrovicë janë zvarritur me vite të tëra për shkak të problemeve të shpronësimit.
Kryeministri Haradinaj tha se me këtë projekt po i afrohen më shumë Mitrovicës.
Para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj theksoi se për të arritur te kjo ditë do t’i kryejnë përgjegjësit, duke ndërtuar rrugë e ura, e po ashtu do të hapin ura, sepse ajo është detyrë e gjithë neve.
“Më vjen mirë që pas një kohë të gjatë kemi finalizim të punimeve, jemi duke filluar punimet e kësaj rruge që është njeri nga dy segmentet. Këtë vit veç i afrohem Mitrovicës. Kam informata që nuk do të ketë ndërprerje. Nuk është e tepët të them se është një nga rrugët strategjike të vendit tonë, na lidhë me Mitrovicën i cili është vend strategjik dhe po ashtu ekonomik dhe është një arterie që mund të lidhë ekonominë e vendit tonë me ekonomitë fqinje pra me ekonominë e Serbisë. Të jetojmë në një botë ku të gjithë janë të lirë dhe të gjithë e njohin njeri-tjetrin me kufijtë e vet dhe të drejtat e veta”, tha Haradinaj.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se nuk ka ndjenjë më të mirë se kur një Qeveri investon në rrugë dhe ura të cilat na bashkojnë.
“Nuk ka diçka më të lumtur kur Qeveria e Kosovës investon në faktorin e zhvillimit ekonomik. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur ne po ndërtojmë rrugë që i lidhin qytetet. Ne si Qeveri jemi të përkushtuar që të ndërtojmë rrugë me standarde evropiane. Ne jemi të përkushtuar që në çdo hapësirë të Kosovës të jemi dhe të mbështesim kërkesat e qytetarëve”, tha ai.
Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se kjo është një nga të arriturat më të mëdha për zhvillimin ekonomik.
“Është ditë e gëzuar për ne sepse qyteti i vjetër i Vushtrrisë po bëhet me Autostradë, por lidhet me qendër, me Prishtinë dhe kjo është një nga të arriturat më të mira për zhvillimin ekonomik. Kërkesa jonë është që punimet të përfundojnë sa më shpejtë dhe të mos zgjasin. Kjo rrugë na bashkon me Mitrovicën”, tha Tahiri, raporton EO.
Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, tha se ky është një moment i rëndësishëm pasi që me vite të tëra për këtë projekt pati një kauzë të madhe.
“Është një moment shumë i lumtur për mua kur e di që po fillon një projekt që me vite të tëra ka pasur një kauzë të madhe. Faleminderit ministër që ke qenë një bashkëpunues shumë i mirë. Kam një dëshirë të kryhet sa më shpejt dhe të jetë gati për mërgimtaret”, tha Izmaku.
Projekti për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, përkatësisht Lumëmadh-Mitrovicë financohet nga Banka Islamike për Zhvillim (IDB), Fondi Saudit për Zhvillim (SFD) dhe Fondi Ndërkombëtar për Zhvillim (OFID), në vlerë prej 12 milionë eurosh.