Fillon Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë, Osmani i bënë thirrje fëmijëve për lexim

Prishtinë | 08 Tet 2025 | 13:14 | Nga Drita Dërmaku

Ka filluar edicioni i tretë i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijët, raporton Ekonomia Online. Interesimi i fëmijëve ishte i madh, e pranishme ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo u ka bërë thirrje fëmijëve që sa më shumë të lexojnë, ku ua ka cituar një thënie të një shkrimtari amerikan.

“Ju e dini shumë mirë por është mirë që sërish ta përsërisim që sa më shumë që lexon aq më shumë gjëra do të dish. Sa më shumë që mëson aq më shumë vende do të keni mundësi që të vizitoni kur të rriteni. Kështu ka thënë një ndër shkrimtarët më të njohur amerikan, dhe unë e di që ju i dëshironi të dyjat edhe të dini shumë edhe të vizitoni shumë sepse cdo herë që hapim një libër ne nuk hapim vetëm faqet e tij por hapim edhe dritaret e botës e të dijes. Sot në edicionin e radhës të panairit të librit për fëmijë jemi mbledhur për ta festuar mrekullinë, që vjen bashkë me leximin e librave për fëmijë”, tha Osmani.

Liridona Bytyqi nga libraria “Dukagjini” për Ekonomia Onlinë tha se sot ka pasur interesim për të blerë libra nga ky panair.

“Nuk kemi një orë që kemi filluar dhe veçse kanë ardhur shumë fëmijë me prindër apo grupe të organizuara me mësues kështu që po besojmë se do të ketë ende më shumë interesim”, tha ajo.

Të ngjashme