Në arat e fshatit Sazli të komunës së Ferizajt sot ka filluar edhe zyrtarisht fushata e korrjeve -shirjeve.
Drejtori komunal për Bujqësi dhe Pylltari në komunën e Ferizajt, Ismet Vranovci bashkë me zyrtarët nga kjo drejtori kanë ndjekur nga afër këtë aktivitet , ndërsa kanë shpjeguar se rendimentet e grurit sivjet pritet të jenë të kënaqshme.
“Para dy ditësh vende -vende kanë filluar të korrin grurin fermerët tanë aty ku është parë se është pjekur më herët gruri , ndërsa nga sot edhe zyrtarisht fillon fushata e korrje-shirjeve në të gjitha arat e komunës së Ferizajt.
Në bazë të planifikimeve dhe shënimeve që kemi janë të mbjella mbi 4 mijë e 100 hektarë me kultura të grurit në komunën e Ferizajt, ndërsa në bazë të opinioneve të fermerëve, rendimentet pritet të jenë të kënaqshme edhe sivjet ku mesatarja duhet të jetë mbi 4 mijë kilogramë për një hektar.
Ndërkaq numri i autokombajnave që është angazhuar në komunën e Ferizajt është rreth 90 sish, dhe presim që brenda 10 ditësh të përfundojë kjo fushatë “ deklaroi drejtori Vranovci.
Ai sqaroi se fermerët e komunës së Ferizajt edhe këtë vit janë mbështetur dhe janë këshilluar për të përfituar nga subvencionet për grurin që jep çdo vit Ministria e Bujqësisë pra nga 150 euro për secilin hektarë. Ndërkaq komuna këtyre fermerëve u ka dhënë si subvencion preparatin për mbrojtjen e bimës respektivisht për heqjen e barojave të këqija në bazë të një praktike që ka drejtoria e bujqësisë që një vit të subvencionohet kultura e grurit dhe vitin tjetër kulturat lavërtare.
Edhe fermerët ferizajas që po korrin grurin në arat e tyre duken të kënaqur me rendimentin ,por çmimi i ulët për një kilogram gurë mbetet mjaft brengosës për ta.
“Varësisht prej mbikëqyrjes që është bërë bimëve vjen edhe rendimenti ku mesatarja e është mjaft e kënaqshme. Unë e përgatis gjithë grurin tim nga tre hektarët e mbjellë, për ushqim të kafshëve sepse nuk llogari të përgatitet për shitje. Çmimi tani është gati 16 cent për kilogram dhe kjo është shumë pak krahas mundit që bëjnë fermerët deri në korrje” u shpreh Xhemajl Reçica fermer nga fshati Sazli.
U bë e ditur de në komunën e Ferizajt sivjet kanë qenë të mbjella gati 500 hektarë më pak me grurë nga fermerët e këtushëm pikërisht për shkak të çmimit të ulët me të cilin po shitet kjo kulturë.