Investimet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në sektorin e qumështit në vitet e fundit arrijnë në 50 milionë euro.
Përmes kësaj mbështetjeje, ky sektor është zhvilluar dukshëm, duke rritur fondin blegtoral dhe ngritjen e cilësisë së qumështit përmes subvencionimit të krerëve prodhues, ndërsa përmes grandeve investime është investuar në ferma, në mekanizim bujqësor, pajisje për avancimin teknologjik të përpunimit të qumështit dhe përmirësim të marketingut të produkteve të qumështit.
Kështu u tha në ceremoninë e fillimit të fushatës “Promovimi i Qumështit të Freskët Vendor”, nismë e cila është projekt i përbashkët i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, MBPZHR-së, USAID-it dhe AUV-së.
Në këtë ceremoni pjesëmarrës ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili vlerësoi nismën e fushatës për promovimin qumështit të freskët dhe me këtë rast ai ka premtuar që edhe në të ardhmen do të vazhdojnë përkrahjen e këtij sektori dhe sektorëve tjerë në bujqësi.
“Dua të theksoj se Qeveria nga mjetet e saj, që përmes MBPZHR-së ka drejtuar për përkrahjen e bujqësisë, një shumë mjaft të madhe e ka dhënë për sektorin e qumështit dhe vlerësoj se rezultatet tregojnë se është investuar në një sektor tepër të rëndësishëm. Po ashtu në emër të Qeverisë ju premtoj se do të ju përkrah për këtë punë që bëni dhe ju sigurojë që përmes ministrisë përkatëse do të përkrahim aktivitetet tuaja qoftë në prodhimin primar të qumështit, qoftë në përpunimin e tij”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Në anën tjetër, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, theksoi se krahas investimeve që do të bëjnë në këtë sektor, nisma për promovimin e qumështit të freskët do të ndikojë në avancimin e mëtejmë të kësaj industrie, duke iu ofruar konsumatorëve vendor qumësht cilësor, një treg më të mirë për prodhuesit vendor dhe një zvogëlim të importit.
“Janë rreth 300 milionë litra qumësht që prodhojmë në vit nga mbi 180 mijë krerë lopë qumështore dhe rrjedhimisht, ky sektor gjeneron të ardhura të mira për mijëra familje në Kosovë. Kjo fushatë e jona për qumështin e freskët, si një brend vendor, do të vetëdijësoj edhe më shumë konsumatorët tanë për konsumimin e qumështit dhe produkteve të tij, nga prodhuesit vendor. Ata duhet të besojnë në cilësinë e produkteve tona, sepse vërtetë janë bërë hapa gjigant në këtë drejtim.”, tha ministri, duke treguar se vetëm gjatë këtij viti Ministria ka ndarë rreth 10 milionë euro për sektorin e qumështit, si përmes grandeve ashtu edhe për subvencioneve.
Drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope, tregoi se fushata do të përqendrohet në promovimin e qumështit të freskët të pasterizuar në Kosovë, duke përfshirë këtu informimin dhe vetëdijesimin e konsumatorëve për vlerën ushqyese të këtij qumështi.
Ndërkaq, gjatë ceremonisë së lansimit është prezantuar edhe spoti televiziv i krijuar për këtë fushatë, përmes së cilës synohet vetëdijesimi edhe më i madh i konsumatorëve vendor për konsumimin e qumështit dhe produkteve të tij, nga prodhuesit vendor.