Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka hapur Javën Evropiane të Sportit, e cila do të zgjasë deri më datën 30 të këtij muaji, raporton EkonomiaOnline.
Ministri në detyrë i MKRS-së, Kujtim Gashi, tha se deri më 30 shtator do të organizohen 84 ngjarje të ndryshme sportive.
“Për 8 ditë nga sot në Kosovë do organizohen aktivitete fizike dhe sportive që kanë qëllim aktivizimin e qytetarëve që të mos jenë pasiv por të merren me aktivitete në dobi të shëndetit të tyre siç është sporti. Java evropiane e sportit shënon 5 vjetorin e themelimit nga Komisioni Evropian, 84 ngjarje në 8 ditë që priten të marrin pjesë rreth 22 mijë persona”, shtoi ai.
Gashi tha se që nga marrja e detyrës si ministër është fokusuar që të avancojë sa më shumë sportin në Kosovë në mënyrë që Kosova të ketë imazh të mirë ndërkombëtare përmes sportistëve tanë.
“Sivjet BE ka zgjedh të financojë ngjarjen që do mbahet më 27 shtator në Suharekë, në këtë konferencë pres që konkluzionet të jenë në dobi të sportit, temat që do trajtohen uroj të sjellin idetë dhe planet konkrete që do avansojnë sportin në Kosovë. Që nga marrja e detyrës jam munduar maksimalisht të përmirësoj infrastrukturën sportive dhe të kemi imazh të mirë sportiv ne arenën ndërkombëtare”, tha Gashi.
Ai ka përmendur të arriturat e MKRS-së gjatë kohës që ka udhëhequr këtë ministri dhe pret qe vitin e ardhshëm buxheti për sport të jetë 40 milionë euro.
“Kemi siguruar përkrahje të drejtpërdrejtë për sportist e talent, kemi bërë kategorizimin e sportistëve, është qartësuar mënyra e avancimit të federatave sipas avancimit, po ashtu edhe Ligji që kemi harmonizuar për Sponsorizimin”, shtoi ai.
“Vitin e ardhshëm presim qe buxheti për sport të jetë 40 milionë euro në tërësi”, tha Gashi.
Gashi tha se së shpejti do të alokohen të gjitha mjetet financiare që kanë pasur pengesa për disa nga federatat, por sipas tij arsyeja ka qenë tek pamundësia për të marrë vendime si shkak i dorëheqjes së kryeministrit të vendit.
“Ne kemi marrëveshje me secilën federatë është e pamundur avancet të ndodhin pa u raportuar në baza 3 mujore, sepse kështu funksionon për secilin projekt, nuk mundemi me lëshua mjete nëse nuk janë realizua projektet siç janë paraparë dhe duhet respektuar memorandumet”, tha Gashi.
Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, tha se në këtë forum do të jepen konkluzionet dhe secila palë e interesit do ta ketë mundësinë të tregoj shqetësimet me interes të përgjithshëm dhe do të pritet nga isnitucionet relevante të kenë përmirësime në fushat ku ata kanë probleme dhe shqetësime.
“Forumi do jetë i rregullt në mënyrë që të kemi hedhje ideve dhe këtë e kam arë nga një përfaqësues i federatës botërore të golfit, ai tha se kanë filluar me organizimin e forumeve që të dëgjohen gjitha palët e interesit për shqetësimet e tyre dhe më pas të jepen konkluzionet”, tha Hasani.
“Ju ftoj se temat që konsiderohen me interes të përgjithshëm t’i ngritni dhe t’i trajtojmë së bashku dhe gë shohim se a gjejmë mbështetje nga institucionet”, tha ai.
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka folur për procedurat e realizimit të sponsorizimit në fushën e sportit.
“Në të kaluarën ne si institucion jemi akuzuar shumë se nuk po duam ta zbatojmë Ligjin e Sponzorizimeve, në realitet nuk është ashtu por Ligji nuk ka qenë i harmonizuar me ligjet tjera, tani është miratuar ku u lejua të njihet si shpenzim i zbritshëm nga pjesa e tatimit pjesa e financimit të sportit dhe tani nga 5 gushti është diçka e përfunduar dhe si institucion do ta zbatojmë këtë dhe gjithë ata që kanë vullnet me financua sportin do u njihet si shpenzim i zbritshëm”, tha Murtezaj.
Murtezaj tha se si sponsor në sport mund të kontribuojnë bizneset që janë të regjistruara me status juridik.
“Këtë mundësi e kanë vetëm personat juridik, bizneset me status juridik, mund të konsiderohet si diskriminim por është diçka që është bërë nga dorëheqja e kryeministrit”, tha Murtezaj.
“Tatimi në fitim është periudhë vjetore, deklarata vjetore për periudhën vjetore deklarohet nga 1 janar deri më 30 mars, gjithë ata që duan të kontribuojnë në financimin e sportit nga data që ka hy në fuqi Ligji i ri kanë mundësi të financojnë sportin në mënyrë që pas deklaratës vjetore të numërohet si shpenzim juridik”, shtoi Murtezaj.