Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, sot në Qendrën Kulturore të Kosovës në Malmo të Suedisë sot filloi konferenca “Gjuha amtare, dygjuhësia dhe integrimi”. Kjo konferencë po mbahet në bashkëpunim me lidhjen e shoqatave shqiptare “Iliria” në Suedi, MASHT-in, Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Suedi dhe NBV(veprimtari studimore për arsimin popullor).
Qëllimi i konferencës është mbajtja gjallë e frymës edukuese të mësuesve të gjuhës amtare, rritja e dijes për mësimdhënien dhe relacionin ndërmjet nxënësit-prindit-mësuesit, si dhe mes gjuhës shqipe-suedeze dhe ndonjë gjuhe të tretë a të katërt, por edhe marrja e përvojave më të mira nga mësimdhënia e mësimnxënia në Suedi, Gjermani, Finlandë, Greqi, Kosovë, Shqipëri e Austri.
Në këtë konferencë po marrin pjesë ekspertë, pedagogë, profesorë, mësues të gjuhës amtare nga diaspora, autorë librash, gjuhëtarë e letrarë, si: prof. Elena Kocaqi, ligjëruese në Universitetin e Durrësit, prof. Emin Kabashi nga Instituti Albanologjik i Kosovës, Nuhi Gashi nga MASHT-i, Anders Sörensson, shef sektori në Malmö, etj.
Konferenca për gjuhën amtare, dygjuhësinë dhe integrimin do të zgjasë dy ditë.