Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, ka filluara realizimin e projektit për pastrimin e lumenjve. Drejtori i Drejtorisë së lartpërmendur, Naser Muja, ka bërë të ditur se i pari lum që do të pastrohet është Lushta.
Muja ka thënë se tashmë pastrimi i Lushtës ka filluar në pjesën nga ku lumi është i mbyllur e që vazhdon në drejtim të lagjes Bair, në një gjatësi prej mbi 500 metrash.
“Lushta nuk është pastruar asnjëherë pas lufte. Në të janë hedhur mbeturina të ndryshme, madje edhe materiale të ndryshme ndërtimore, kështu që trashësia e tyre kishte arritur prej 80 centimetra deri në një metër. Kur kishte të reshura shpejt dilte nga shtrati i tij, andaj e pamë të arsyeshme që së pari të fillojmë me pastrimin e tij”, tha ai.
Muja gjithashtu tha se për pastrimin e lumit është angazhuar Kompania “Eurondërtimi”, ndërsa punët po shkojnë sipas dinamikës së paraparë dhe lumi po merr një pamje krejtësisht ndryshe, pamje çfarë në realitet duhet ta ketë vazhdimisht.
“Fatkeqësisht, moskujdesi i qytetarëve për të pas lumin të pastër është për brengosje. Madje, qytetarët edhe sot kur po punonim para syve tanë i hidhnin mbeturinat në lum. Ne apelojmë me këtë rast tek të gjithë qytetarët që jetojnë paranë lumit, që të vetëdijesohen dhe që të mos e ndotin lumin. Kërkojmë nga ata që edhe të përkujdesen për të, sepse është për të mirën e tyre, ndërsa që Komuna nuk mund të intervenoj çdo ditë për të mbajtur lumin dhe ambientin përreth tij të pastër”, tha drejtori Muja.