Për dallim prej viteve të kaluara, këtë vit shkollor tekstet falas do të shpërndahen vetëm pë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën do t’i marrin tekstet e përdorura nga vitet e kaluara. Mirëpo furnizimi me libra të përdorura ka dalë të jetë problem për Shkollën e Mesme të Ultë “Elena Gjika”.
Drejtori i kësaj shkolle Fisnik Thaçi, tha se shkolla të cilën ai e drejton ka mungesë të librave të klasës së nëntë. Kjo pasi jo të gjithë nxënësit të cilët kanë përfunduar klasën e nëntë i kanë kthyer të gjitha librat.
Mirëpo, kjo gjë nuk do të paraqes problem për mbarëvajtjen e mësimit pasi këta libra do të kompensohen ose me libra të rinj ose me libra nga shkollat që kanë tepricë të tyre.
Por përdorimi i librave të vjetër nuk iu ka pëlqyer nxënësve të kësaj shkolle. Edhe pse premtojnë që nuk do të lejojnë që librat të ndikojnë në mësimet e tyre, ata prapë ankohen për mungesën e disa librave si dhe për gjendjen jo të mirë të tyre.
Sa i përket përgatitjeve Thaçi, tha se i gjithë procesi i regjistrimit të filloristëve, por edhe rinovimi i shkollës ka mbaruar me kohë dhe është zhvilluar me rregull.
Edhe në Gjimnazin “Sami Frashëri”, janë bërë të gjitha përgatitjet për vitin shkollor 2017-2018.
Sipas drejtorit, Fetah Zejnullahut në këtë shkollë, këtë vit, janë gjithsej 10 paralele me nga 33 nxënës. Që për dallim nga viti i kaluar është një paralele më pak.
Adhuresa Sylejmani, e cila shpreson që një ditë të bëhet programere, këtë vit është regjistruar në klasën e dhjetë.
Sipas saj, i gjithë procesi i pranimit në gjimnaz ka shkuar në rregull dhe e vetmja vështirësi me të cilën është përballur ishte ajo se në cilin drejtim të regjistrohet.
Procesin mësimor edhe këtë vit shkollor e ndjekin më shumë se 350 mijë nxënës, në rreth 1200 objekte shkollore me më se 20 mijë mësimdhënës.
27.800 nxënës do të ulen për herë të parë në bankat shkollore.