Filmi i metrazhit të shkurtër “Përjetësisht Fëmijë /Eternally Child”, me skenar e regji të Lorena Sopit, prodhim i “AS Film Production” dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ka fituar çmimin “Best Foreign Drama Short” në Texas Short Film Festival që ka përfunduar ditën e diel në San Diego të Shteteve të Bashkuara ë Amerikës.
Po ashtu, filmi ka fituar edhe çmimin “Best Drama Short” në Wendy’s Short Film Festival.
Gjatë muajve në vijim, filmi “Përjetësisht Fëmijë”, do të jetë pjesë e disa festivaleve të njohura, si “Pune Short International Film Festival”, i cili do të mbahet në Pune të Indisë, pastaj në “Los Angeles Cine Fest”, i cili mbahet në Los Angeles, për të vazhduar në “Roma Short Film Festival” që do të mbahet në Romë të Italisë, pastaj në festivalin e njohur “Sunlight International Film Festival”, i cili do të mbahet në Teatrin Olimpik në Moskë të Rusisë.
Po ashtu, filmi do të marrë pjesë edhe në festivalin prestigjioz “Regina International Film Festival”, i cili do të mbahet në Pedreson Crescent të Kanadasë si dhe në “Bangalore Shorts Film Festival” në Indi.
Filmi “Përjetësisht Fëmijë” trajton raportin e rrënuar familjar mes babit autoritar dhe fëmijës së mitur. Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin.
Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjenë peshën e mallkimit, duke bartur mbi vete fajin për atë që ka ndodhur. Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyrë, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur, me shpresë se do të lirojë shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushojë i qetë në jetën e përtejme.
Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.
Drejtor i fotografisë është Latif Hasolli, montazhier Nexhmi Mehmeti, mjeshtër zëri Gëzim Rama, skenograf Uran Duli dhe kompozitor Naim Krasniqi.