Finalja

Prishtinë | 21 Dhj 2023 | 18:52 | Nga Dardan Islami

Krimea nga viti 1783 ishte tokë ruse, e cila më vonë më 1954 iu dhurua Ukrainës nga vetë Rusia, periudhë kjo kur këta dy popuj po jetonin në një shtet të përbashkët të quajtur Bashkimi Sovjetik.

Edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik sipas një marrëveshjeje ushtarake mes palëve, flotës ruse i lejohej qëndrimi në bazat e saj detare të Krimesë, territor ky i dominuar nga popullsia ruse.

Në mars të vitit 2014, Putin e filloi ekspeditën e tij ushtarake të radhës, duke e okupuar gadishullin e Krimesë vetëm për disa ditë, pothuajse pa e shkrepur asnjë fishek.
Rezistenca e ushtrisë ukrainase ishte e dobët, gjë që rezultoi në një fitore të shpejtë ruse me zero humbje në njerëz dhe në teknikë ushtarakë.
Perëndimi në anën tjetër, ato ditë po përballej me ISIS-in dhe luftën kundër terrorizmit, që buronte direkt nga konfliktet në Irak dhe Siri, dhe që po kërcënonte drejtpërdrejtë sigurinë e kontinentit me sulme vetëvrasëse dhe miliona refugjatë.
Vendet perëndimore u gjetën krejtësisht të befasuar përballë këtij agresioni ushtarak rus të kombinuar me luftë hibride, akt të cilin nuk kishin gatishmëri ta sanksiononin seriozisht, kur kemi parasysh varësinë që këto e kishin krijuar ndaj gazit natyror rus për shumë dekada.

Pas pushtimit ushtarak dhe mbajtjes së referendumit në Krime, Putin e vuri njohjen e Kosovës disa herë në pazar si një këmbim të njohjes së Krimesë nga Perëndimi, por Perëndimi po heshtte!

Pikërisht atë vit, presidenti i Kosovës e filloi fushatën e tij gjysmë-publike për një këmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, ku takoi edhe Putinin, i cili më pas deklaroi se “Rusia nuk ka asgjë kundër një marrëveshjeje, që pëlqehet nga Beogradi”.
Ngjashëm po deklaroheshin edhe disa zyrtarë të administratës amerikane gjatë presidencës së Trump-it, se “SHBA-ja nuk ka asgjë kundër një marrëveshjeje të mundshme, nëse palët dakordohen mes vete”.

Vetëm Gjermania doli haptas kundër, me pretekst se kjo iniciativë mund ta hapë kutinë e Pandorës me theks të veçantë në Bosnjë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Dhe kur Vuçiq me Thaçin, por edhe kumbara i marrëveshjes Edi Rama, dukeshin të lumtur dhe të vendosur për një marrëveshje historike, si në filma horror ndodhi e papritura, Thaçi u arrestua në aeroportin e Vjenës kur po udhëtonte për Washington!
Nga rruga drejt një marrëveshjeje historike mes dy popujve, nga një çmim i mundshëm i Nobelit për Paqe, Thaçi përfundoi në qeli të burgut të Hagës me shokët e tij të luftës, i ballafaquar me një aktakuzë monstruoze!
Në ndërkohë aktakuza ndaj tyre u zbut, dhe iniciuesi i rezolutës së famshme për trafikim organesh, Dick Marty, për ironi të faktit, sot mbrohet 24 orë në ditë nga policët zviceranë, pasi u raportua se kishte qenë cak për t’u ekzekutuar nga shërbimi sekret serb, ku për vrasjen e tij serbët do t’i fajësonin shqiptarët.

Vetëm katër vite pas okupimit të Krimesë, Putini po e përuronte urën e ndërtuar në afat rekord që po e lidhte Rusinë me Krimenë, një përpjekje e tij për ta integruar edhe ekonomikisht këtë gadishull në Federatën Ruse, por papritmas ai po haste në një problem që nuk po i gjente zgjidhje.
Pas pushtimit rus të Krimesë, Ukraina e kishte ndërprerë kanalin e ujit të pijshëm, duke shndërruar Krimenë në një tokë të thatë, dhe kjo për rusët ishte një pretekst i mjaftueshëm që të fillojnë planifikimin e okupimit të territoreve të tjera rreth lumit Dnjepër dhe kanalit që dikur sillte ujë në Krime.
Putinin po e pengonte shumë edhe ndihma që shtetet e NATO-s po ia ofronin ushtrisë Ukrainase, duke e trajnuar dhe armatosur me standarde të NATO-s, doktrinë ushtarake kjo që u tregua shumë e suksesshme në mbrojtjen e Kievit dhe qyteteve të tjera, disa vite më vonë.

Dhe derisa Thaçi me shokë po mbaheshin në burg të Hagës në emër të popullit dhe SHBA-ja papritmas po tërhiqej në panik nga Afganistani, rreth kufijve të Ukrainës po mblidheshin dhjetëra mijëra trupa ruse të cilat pas dhjetë muajsh grumbullimi, natën e 24 shkurtit të vitit 2022 filluan agresionin ushtarak mbi tërë territorin e Ukrainës nga tri drejtime.
Edhe pse ushtria ruse fillimisht pësoi fiasko, rusët sot kontrollojnë 20% të territorit të dikurshëm të Ukrainës, duke lënë pas qindra mijëra të vrarë, miliona refugjatë, dhe rrënime apokaliptike të qyteteve në pjesën lindore.
Befasisht në fillim të këtij viti Zelensky po jepte sinjale se do ta njohë shtetin e Kosovës, por gjithçka ndërroi pas takimit të tij me presidentin serb Vuçiq, në muajin gusht, ku më pas u kuptua se Serbia po e furnizonte tërthorazi Ukrainën me municione, në një kohë kur depot e NATO-s ishin shteruar dhe kur municionet e kalibrit sovjetik nuk po gjendeshin në tregjet botërore të armatimeve.

Në dhjetor të këtij viti ministri i jashtëm rus, Lavrov, në paraqitjen e tij në konferencën e OSBE-së pas një kohe të gjatë izolimi, e përsëriti idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ide kjo që sërish u injorua nga Perëndimi, sepse nënkuptohet që Rusia do ta shfrytëzojë këtë precedent automatikisht edhe për katër rajonet separatiste tashmë të okupuara në Ukrainën lindore, por edhe në Gjeorgji, e pse jo edhe në Transnistri.
Perëndimi duket se ka zgjedhur një model tjetër për Kosovën, model që bart rrezikun që Kosova të përfundojë si një shtet jofunksional, ngjashëm me federatën e Bosnjës, ku mes dy entiteteve: atij shqiptar dhe serb, pritet të vendoset një arbitrazh i përbërë nga një përfaqësues i BE-së.
Dhe fatkeqësisht as kjo autonomi territoriale nuk duket se po i kënaq serbët, ata preferojnë që të përfitojnë maksimalisht nga kjo situatë delikate duke angazhuar dhe ndihmuar logjistikisht grupe paramilitare kriminale të armatosura me armë të kalibrit të madh siç ishte rasti i Banjskës, një kërcënim ky serioz për sigurinë e Kosovës, që çuditërisht si edhe sulmi ndaj ushtarëve të NATO-s, kaloi po u ndëshkuar seriozisht nga BE dhe SHBA!
Prapaskenat e këtyre ngjarjeve mbase do t’i mësojmë më hollësisht në të ardhmen, me gjasë në memuaret e Thaçit, Merkel, Bolton apo të Vuçiq, se çka me të vërtetë ndodhi atë ditë nëntori derisa aeroplani i Thaçit po fluturonte mbi Oqeanin Atlantik, kush e tradhtoi, kush po e minonte marrëveshjen?
Si do ta gjykojë historia këtë moment, si moment të humbur historik?
Si do ta gjykojë historia Hashim Thaçin, si njeri naiv apo si vizionar?
Si do të na gjykojë historia ne të tjerëve?

Tash për tash Putini, Asadi dhe Radojçiqi mbeten ende njerëz të lirë, gjersa Thaçi me shokë mbahen në burg, Ukraina mbetet pjesërisht e okupuar dhe e shkatërruar, së fundmi edhe e bankrotuar, ndërkaq Kosova e trazuar nën kërcënime.
Kohëve të fundit shohim se edhe Perëndimi ka filluar të lodhet nga lufta në Ukrainë, tani dëgjojmë një gjuhë ndryshe nga zyrtarët e lartë amerikanë. Ata po i dërgojnë sinjale Zelensky-t se herët a vonë, ai do të duhet të ulet në tryezë të negociatave, me ç’rast ne na mbetet të shpresojmë shumë që edhe Kosova do të përfitojë në këtë rend të ri botëror pa e humbur rastin, të paktën duke u anëtarësuar në OKB, ndërkohë që integrimet euroatlantike për momentin duken larg.

Të ngjashme