Madridi bëhet sot kryeqyteti i Evropës. Në “Wanda Metropolitano” do të luhet finalja e Ligës së Kampioneve mes dy klubeve angleze Liverpool dhe Tottenham.
Askush nuk e mendonte në fillimin e kompeticionit që do të ishin këto dy ekipe ato që do të diskutonin këtë finale, por futbolli vërtetoi edhe njëherë se është i paparashikueshëm.
Finalja e sotme do të jetë përballja e dy trajnerëve, Mauricio Pochettino e Jurgen Klopp. Trajneri argjentinas luan finalen e tij të parë në këtë eveniment dhe përballë “The Reds” pritet të ketë edhe Harry Kane të dëmtuar ndaj Manchester City. Gjatë këtij sezoni Kane ka shënuar 24 gola, por mjaft mirë kanë bërë edhe Son me 20 e Lucas Moura me 15.
Përsa i përket Klopp, trajneri gjerman luan finalen e tij të tretë në karrierë në Champions. Liverpooli është skuadra që ka pësuar më pak gola gjë që ka lehtësuar punën e sulmuesve. kampionatin e mbylli me 97 pikë duke vendosur një rekord historik duke humbur vetëm 1 ndeshje. Por në Evropë ishte ndryshe. Nuk fitoi asnjë ndeshje jashtë fushe në fazën e grupeve, por e bëri këtë në Mynih e Porto. Anfield Road rezultoi të ishte një fortesë e Liverpoolit kjo u pa edhe në gjysmëfinalen ndaj Barcelonës.
Ndërkaq, në Madrid janë marrë tashmë masat e sigurisë për këtë finale teksa janë angazhuar 5000 agjentë policie. Megjithatë momentet e incidenteve nuk kanë munguar, pasi disa tifozë anglezë u arrestuan në mbrëmjen e së premtes për agresion që në disa momente ishte edhe kundër policisë.