Ministria e Brendshme e Finlandës tha se do të propozojë rivendosjen e kontrolleve kufitare për udhëtarët nga vendet e Paktit Schengen, disa ditë përpara dhe pas samitit të planifikuar midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin.
Kimmo Elomaa, zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme finlandeze, tha se ky veprim mund të bëhet për të rritur sigurinë.
Plani do të bllokonte qasjen për njerëzit që mund të prishin rendin dhe sigurinë gjatë samitit, tha Elomaa.
Trump dhe Putin do të takohen në Helsinki më 16 korrik.
Zyrtarët thanë se kontrollet kufitare mund të nisin më 13 korrik dhe të përfundojnë më 17 të të njëjtit muaj.
Kabineti pritet ta marrë vendimin përfundimtar këtë javë.