Gjuha e ashpër dhe ofenduese që përdori deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili ndaj koleges së tij, Ganimete Musliut nga PDK-ja, përveç që nuk u prit mirë në publik, duket se nuk ka gjetur përkrahje as në partinë e tij.
Së paku kështu u shpreh anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Nazlie Bala.
“Shpifja e Ganimetes duhet të trajtohet me gjykatë. Veprimi i Dardan Sejdiut, është përgjigjja më e mirë për të. Kaq mjafton. Komentet e tjera në lidhje me prindërit e sidomos për nënat janë të papranueshme dhe nuk përkasin me Lëvizjen Vetëvendosje. Të gjithë duhet të përmbahemi brenda argumenteve politike”, ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook.
Këtë publikim e ka shpërndarë edhe zëdhënësja për media e kësaj partie, Tinka Kurti.
Kujtojmë që debati në fjalë filloi me Dardan Sejdiun e Ganimete Musliun. Por, përderisa Sejdiu paditi Musliun për shpifje, Ismaili përdori disa fjalë që nga shumë kush u panë të ulëta e tejet ofenduese.