Fitoi lotarinë duke mashtruar

Prishtinë | 09 Gus 2019 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Pasi mori lajmin e gëzueshëm për fitimin e Lotarisë Amerikane, Çlirim Tupi, banues në fshatin Zabzun të Librazhdit, kujtoi se ia kishte hedhur paq. Në verifikimet e bëra pas fazës së intervistave, është zbuluar se Tupi kishte tentuar të mashtronte autoritetet amerikane duke falsifikuar dëftesën e shkollës së mesme, me ndihmën e drejtorit të institucionit arsimor “Shefqet Doku”, Dashnor Hysa.

Shqiptari i shpallur fitues do të duhet të përballet tani e tutje me Gjykatën, nën akuzën e mashtrimit. Në ndjekje penale do të jetë edhe Hysa, i cili akuzohet po ashtu për mashtrim, pasi vulosi me vetëdije dokumente false. Mësohet se Çlirim Tupi ka treguar në Prokurori se atij i nevojitej një diplomë dhe se kishte takuar një qytetar në Rrugën e Kavajës, të cilit i ka paguar dymijë euro për të marrë një vërtetim.

Pas ekzaminimit, Policia shkencore konkludoi se shenjat e vulave në vërtetimin e shkollës së mesme i përkasin vulës së shkollës. Ndërkohë, Tupi nuk rezultonte i regjistruar në indeksin e amzës.

Ish-drejtori i shkollës, edhe ai i marrë i pandehur, ka deklaruar se një i ri kishte shkuar në zyrën e tij dhe i kishte kërkuar një vërtetim notash dhe ai ia kishte dhënë pas një verifikimi në regjistrin e veçantë ku kishte parë që ky shtetas figuronte si nxënës.

Por, sipas organit të akuzës, ish-drejtori nuk thotë të vërtetën, madje ka shpërdoruar detyrën duke mbajtur vulën jashtë shkollës dhe duke mos i vendosur numër protokolli vërtetimit që më pas është sjellë nga Librazhdi në Tiranë dhe është shitur për shumën e dy mijë eurove.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme