Vllaznia e Pozhoranit ka marrë një fitore tejet të madhe përballë Besës së Pejës 1-0.
Ndeshja filloi me dy skuadrat që kishin kujdes të madh dhe luanin më shumë në mes të fushës.
Kryesisht në pjesën e parë dy skuadrat patën vetëm disa gjysmë raste dhe nuk rrezikuan shumë portën e njëra tjetrës.
Me rezultatin e bardhë 0-0 u mbyllen 45 minutat e para të kësaj sfide.
Bashkim Idrizi i Vllaznisë pati rast të mirë të shënoj gol por dështoi përballë portierit mysafir Haxhijaj.
Pozhoranasit shënuan një gol në minutën e 74-të por që u anulua për pozitë jashtë loje.
Në 10 minutat e fundit të ndeshjes pati tensione të mëdha mes futbollistëve të të dyja skuadrave.
Kësisoj gjyqtari Selim Isufi ndëshkoi katër futbollistë me karton të verdhë, Livorekën dhe Pantinën tek vendasit si dhe Rexhajn dhe Sheqerollin te mysafirët.
Pesë minuta para fundit të ndeshjes vendasit gjetën golin e fitores në këtë takim.
Ishte kapiteni Mensur Livoreka që shënoi për 1-0 duke sjellë gëzim tejet të madh në stadiumin e qytetit në Ferizaj.
Kësisoj deri në fund mysafirët tentuan të barazonin rezultatin por një gjëje të tillë nuk ia arritën.
Pas kësaj fitore të madhe, Vllaznia e Pozhoranit ka shtuar gjasat për të kapur pozitën e barazhit.
Aktualisht pozhoranasit kanë 12 pikë në pozitën e 12 dhe janë dy pikë mbrapa Besës dhe Flamurtarit.
Në ndeshjen e radhës, Vllaznia e Pozhoranit do të luaj derbin rajonal me Gjilanin në stadiumin e qytetit në Gjilan.
Ndërkohë Besa e Pejës do të ketë një duel tjetër të vështirë pasi do ta luaj derbin e vjetër me Prishtinën në Pejë.