Përfaqësuesja e Kosovës U-21 në futboll fitoi të martën mbrëma pas pesë humbjeve rresht. Shpresat e Kosovës fituan kundër Andorrës me rezultatin minimal 1:0, në kuadër të ndeshjes së tetë kualifikuese për “Euro 2021”. Po fitorja e arritur të martën është e vonuar, meqë Shpresat janë pa gjasa për kualifikim në “Euro 2021”. Megjithatë përzgjedhësi i Kosovës, Rafet Prekazi, thotë se futbollistët e tij dhanë sinjal të fortë se për ciklin e ardhshëm kualifikues ka shpresë për kualifikim. Por Prekazi thotë se “Dardanët” e rinj duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë, sipas tij, për kualifikim në punë.
“Duhet shumë punë, por është e vërtetë se brenda grupit kualitet. Në këtë grumbullim kemi pasur më shumë se 70 për qind të lojtarëve të moshës 18-19 vjeçare. Kemi pasur edhe probleme me lëndime e po ashtu edhe mungesa shkaku i infektimit me koronavirus. E rëndësishme është që ka pasur angazhim nga lojtarët. Do të mundohemi të krijojmë një ekip konkurrues për kualifikimet e ardhshme”, ka thënë Prekazi të mërkurën për KOHËN.
Kosova e pati mposhtur Andorrën thellë 4:0 edhe në hapje të kampanjës kualifikuese. Fitore arriti edhe në ndeshjen e dytë ndaj Turqisë 3:1, derisa serinë e pesë humbjeve e nisi kundër Anglisë, prej së cilës pësoi fillimisht 2:0. Nga Anglia humbi edhe ndeshjen e dytë 6:0. Pësoi edhe nga Shqipëria (2:1) dhe Austria (4:0, 1:0). Kosova zë vendin e katërt në grup me nëntë pikë. Lidere është Anglia me 22 pikë, derisa në vendin e dytë është Austria me 15 pikë. Ndërkohë Shqipëria zë vendin e tretë me 11 pikë, kurse Turqia e pesta me shtatë pikë. Në vendin e fundit është Andorra me pesë pikë.
“Kam besim se kjo gjeneratë do të ketë të ardhme të ndritur. Jam i mahnitur me punën e tyre”, ka thënë Mirlind Daku.