Në një zhvillim të paprecedentë, fituesi i Eurovisionit 2024, këngëtari zviceran Nemo, ka njoftuar se ka vendosur të kthejë trofeun e këtij festivali si protestë ndaj vendimit për të lejuar pjesëmarrjen e Izraelit në edicionin e vitit 2026.
Në deklaratën e tij publike, 26-vjeçari tha se Eurovisioni promovon vlera si uniteti, përfshirja dhe dinjiteti, të cilat sipas tij bien në kundërshtim me lejimin e Izraelit të marrë pjesë në garë, përcjellë KultPlus.
“Sot nuk ndjej më se ky trofe i përket raftit tim,” u shpreh Nemo, duke shtuar se është mirënjohës për komunitetin e Eurovisionit, por nuk mund të qëndrojë i heshtur ndaj kësaj situate.
Veprimi i tij vjen në kohën kur disa shtete tashmë kanë paralajmëruar ose kanë zyrtarizuar tërheqjen e pjesëmarrjes së tyre nga Eurovision 2026, në shenjë pakënaqësie ndaj përfshirjes së Izraelit, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.
Ky akt proteste ka shkaktuar reagime të shumta në arenën muzikore dhe kulturore, duke hapur një debat të ri mbi rolin politik dhe moral të festivalit më të madh muzikor në Evropë.