Fituesit e “Eureka 4” përfaqësojnë Kosovën në Amerikë dhe Kenia

Prishtinë | 23 Mar 2017 | 15:38 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti 40 nxënësit fitues të garës së inteligjencës EUREKA 4 , e organizuar në 27 komuna të Kosovës, në të cilën morën pjesë mbi 2000 nxënës të klasave të IX-ta dhe disa nxënës të Gjimnazit “Hasan Nahi”, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në gara ndërkombëtare në Amerikë dhe Kenia.

Kjo garë organizohet nga Fondacioni “Atmosfera” dhe Gjimnazi “Hasan Nahi”, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ministri Bajrami, me këtë rast falënderoi Fondacionin dhe Gjimnazin për organizimin e kësaj gare në nivel kombëtar, ndërsa uroi nxënësit fitues të garës, për të cilën tha se  ka rëndësi shumë të madhe, sepse është një mundësi e garimit të nxënësve, e shprehjes së inteligjencës së tyre dhe dëshirës që këta nxënës nesër të bëhen liderë.

“Kjo garë ka treguar se nxënësit tanë janë inteligjentë dhe me asgjë nuk janë prapa bashkëmoshatarëve në shtetet e zhvilluara, vetëm se shteti dhe shoqëria duhet t’ju krijojë kushte që ata të marrin një edukim cilësor”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se fryma e garave është diçka shumë pozitive dhe që e shtynë përpara ngritjen e cilësisë.

Ministri Bajrami premtoi se Ministria e Arsimit do ti mbështesë këta nxënës në planet dhe ëndrrat e tyre për të ndërtuar karrierë, ndërsa theksoi faktin se tashmë është krijuar një fond për mbështetjen e talentëve të veçantë, thuhet në komunikatën e MASHT-it

“Ministria e Arsimit çdo vit dërgon nxënës nëpër gara në gjithë botën dhe jemi shumë të lumtur që nga çdo garë ata kthehen me medalje dhe neve na bëjnë të ndihemi krenar”, tha Ministri dhe, ndër të tjera, inkurajoni nxënësit që të orientohen në të ardhmen kah studimi i shkencave ekzakte, për të cilat ka nevojë vendi ynë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme