Fjalën e fundit për emrin “Maqedonia e Veriut” do ta japin qytetarët

Prishtinë | 16 Qer 2018 | 15:34 | Nga

Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, bazuar në deklaratat e deritanishme të kryeministrit, Zoran Zaev dhe të liderëve të tjerë politik, do të jetë në duart e qytetarëve të Maqedonisë.

Pas kalimit të saj në Kuvend dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese, marrëveshja e arritur nga dy kryeministrat, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras për emrin “Maqedonia e Veriut”, duhet të aprovohet edhe në referendum nga qytetarët, i cili sipas marrëveshjes duhet të mbahet deri në fund të vitit.

Kryeministri Zaev ka bërë të ditur se nëse të gjitha procedurat realizohen sipas dinamikës së paraparë, atëherë referendumi do të mbahej nga fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit.

“Vota e qytetarëve është përfundimtare. Ashtu siç kemi premtuar, me marrëveshje garantohet se në vjeshtë do të ketë referendum. Qytetarët janë ata të cilët do të vendosin për të ardhmen e tyre. Në referendum do të shënohet një faqe e re në historinë e Maqedonisë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Për dallim nga ai, lideri i opozitës, Hristijan Mickovski, ka thënë se marrëveshja është antikushtetuese dhe se në referendum do të votonte kundër dokumentit të cilin e ka quajtur, “Kapitullim të Maqedonisë”.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se që referendumi të ketë sukses duhet që të dalin mbi gjysma e trupit të përgjithshëm votues. Bazuar në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016, të drejtën e votës e kanë rreth 1 milion e 770 mijë votues, e që referendum të jetë valid, në votime duhet të dalin gjysma e atyre, apo rreth 800 mijë votues.

“Dalja në referendum duhet të jetë mbi 50 për qind e trupit votues dhe nga ata mbi 50 për qind duhet t’i japin mbështetje që të ketë sukses. Por, e them referendumi mund të dështoj nëse nuk arrihet pragu për dalje në votime prej 50 për qind plus një votë. Sa i përket referendumit, ai mund të jetë vendimtar dhe këshillues. Vendimtar do të thotë se rezultati i tij do të vendos për çështjen që ngritët, por edhe këshillues ka rëndësi të madhe pasi nëse mbi 50 për qind e votuesve këshillojnë se çështja e ngritur në referendum duhet të miratohet ose jo, kjo megjithatë vlerësoj se duhet të merret në konsideratë. Maqedonia është shtet qytetar, sovraniteti buron nga qytetarët dhe atyre i takon”, thotë Temelko Ristevski, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Font të Shkupit.

Dilemat mbeten nëse opozita maqedonase do të ftoj apo jo anëtarësinë që të dal në referendum. Nëse thirrja është negative kjo sipas ekspertëve do ndërlikonte gjendjen. Nga ana tjetër, numri i votuesve shqiptar bazuar në disponimin momental pritet të jetë i lartë. Por, disa nga aktivistët për avancimin e të drejtave të shqiptarëve kërkojnë që ky referendum të shpërbëj për ngritjen e pozitës së tyre në shtet.

“Unë mendoj se sikur shqiptarët pak të jenë më kreativ apo të imponohen, do të lëvizin gjërat pasi në këtë moment, në këtë situatë politike, vota e shqiptarëve është vendimtare qoftë për vendimet e qeverisë apo referendumin e ardhshëm”.

“Unë mendoj se deri tek referendum shqiptarët duhet të përgatiten mirë dhe të dalin me kërkesa që të mos votojnë më kundër vetes së tyre, sikur që kanë vepruar deri më tani, por të kenë një qëndrim të vetëm, të jenë unik. Unë do të bëja thirrje klasës intelektuale, akademike, profesorëve që të tregohen të gjallë dhe secili të jep kontributin e vet dhe të mos mbyllen në gëzhojat e veta prej mëndafshi”, thotë Shpëtim Pollozhani, nga forumi i intelektualëve shqiptar dhe drejtues i shoqatës së ish të burgosurve politik shqiptar.

Nga ana tjetër, profesori Temelko Ristevski, thotë se qytetarët kërkojnë perspektivë, andaj edhe beson se referendumi mund të kalojë.

“Pjesa më e madhe të qytetarëve, në veçanti të rinjtë qëllim kryesor kanë që t’i hapen rrugët e mundësisë për në Bashkimin Evropian, të kenë perspektivë. Të rinjtë duan të kenë një shtet të hapur, që qytetarët të mund të komunikojmë me botën, të mund të punësohet të shkollohen e kështu me radhë. Pjesa më konservatore është më e përmbajtur sa i përket debateve për emrin, por mbetet të shihet, besoj se vendimi do të jetë në favor të një ardhme më të mirë”, thotë Ristevski.

Deri tani në Maqedoni janë mbajtur dy referendume, njëri në vitin 1991 për pavarësinë e Maqedonisë që ka rezultuar me sukses dhe një tjetër në vitin 2004 kundër organizimit të brendshëm territorial, por që kishte dështuar për shkak të daljes së vogël të qytetarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme