E përditshmja turke Daily Sabah, ka publikuar dje transkriptin e audio-incizimit të bisedës së fundit të gazetarit Jamal Khashoggi me pjesëtarët e njësisë saudite të vdekjes, të cilët besohet se e vranë në konsullatën saudite në Stamboll gjatë vitit të kaluar.
Audio-incizimi i filmuar para dhe pas likuidimit të gazetarit gjatë 2 tetorit të vitit të kaluar. Atë e ka siguruar Agjencia Nacionale e Inteligjencës turke (MIT) pas incidentit, dhe e ka shpërndarë me autoritetet kompetente gjatë kohës sa po kryheshin hetimet, transmeton Telegrafi.
Në incizim dëgjohet biseda mes Maher Abdulaziz Mutreb, pjesëtarit të dyshuar të njësisë saudite të vdekjes si dhe mjekut Salah Muhammed Al-Tubaigy, ekspert i forenzikës i cili dyshohet se ishte përgjegjës për “zhdukjen” e trupit të gazetarit.
Biseda ishte zhvilluar për 12 minuta para se Khashoggi të mbërrinte në konsullatën saudite për të rregulluar dokumentet.
Mutreb: A është e mundur që i tërë trupi të futet në një çantë?
Al-Tubaigy: Jo. Është shumë i rëndë. Plus ai është mjaft i gjatë. Në fakt, kam shumë përvojë me trupa të pajetë, e di se si duhet prerë. Megjithatë këtë kurrë nuk e kam bërë në një trup të nxehtë. Thjesht, kur i pres trupat, në vesh i vendosi kufjet dhe dëgjoj muzikë. Ndërkohë pi kafe dhe cigare. Kur e copëtoj, do t’i mbështjell pjesët e trupit të tij në thasë të plastikës, të cilat i fut në çantë dhe i nxjerr nga ndërtesa.
Pas kësaj dëgjohet se si Al-Tubaigy thotë se si askush nuk e di se çfarë planifikon të bëjë dhe se askush nuk do ta mbrojë. Ndërkaq në fund të bisedës, Mutreb pyet nëse në konsullatë ka mbërritur “kafsha që duhet sakrifikuar”, derisa bashkëbiseduesi i paidentifikuar i përgjigjet me “po”.
E pas kësaj bisede me pjesëtarët e tij, dëgjohet se si Khashoggi bisedon me Mutrebin i cili ia bën me dije se jashtë po e pret e fejuara. Ndërkaq i pyetur nëse kishte me vete telefon celular, gazetari saudit i përgjigjet duke thënë se i ka dy iPhone.
Më poshtë ju sjellim transkriptin e bisedës mes gazetarit dhe vrasësve të tij që ishte zhvilluar për dhjetëra minuta para se të kryhej vrasja.
Mutreb: Dërgoj një porosi djalit.
Khashoggi: Çfarë t’i them?
Mutreb: Fillimisht e shkruani, me qëllim që të mund ta kontrollojmë.
Khashoggi: T’i shkruaj se do të shihemi së shpejti?
Personi i paidentifikuar: Shkurtoje.
Mutreb: I shkruaj diçka si: “Në Stamboll jam. Mos u brengos nëse nuk arrin të më kontaktosh”.
Khashoggi: Nuk duhet të them që më keni kidnapuar.
Personi i paidentifikuar: Zhvishe pallton.
Khashoggi: Si mund të ndodhin gjëra të tilla në konsullatë? Nuk do të shkruaj asgjë.
Personi i paidentifikuar: Më shpejtë.
Khashoggi: Nuk do të shkruaj asgjë.
Mutreb: Shkruani, zotëri Jamal. Ngutuni. Na ndihmoni në mënyrë që ne të mund t’iu ndihmojmë juve. Edhe ashtu do t’iu dërgojmë në Arabinë Saudite. E dini se çfarë mund t’ju ndodh nëse nuk bashkëpunoni.
Khashoggi: Aty qenka një peshqir. Planifikoni të më drogoni?
Al-Tubaigy: Do të vëmë në gjumë.
E pasi që e kanë droguar, dëgjohet se si Khashoggi u kërkon që mos t’ia mbyllin gojën.
“Vuaj nga astma. Mos e bëni këtë, do të më ngufatni”, dëgjohen fjalët e fundit të gazetarit.
E pasi i kanë vënë qesen e plastikës në kokë dhe e ngufatën, dëgjohen se si mes vete flasin për atë nëse është ende gjallë. Aty edhe fillojnë me prerjen e trupit të tij në copa. Rreth orës 13:40 sipas kohë lokale dëgjohet shara me të cilën copëtohet trupi i gazetarit për më shumë se gjysmë ore.
Kujtojmë që gjymtyrët e trupit të Khashoggit ende nuk janë gjetur, kurse Ankaraja zyrtare për vrasjen e gazetarit ka fajësuar autoritetet saudite, por ato mohojnë kategorikisht se janë përfshirë.
Për vrasjen e Khashoggit kanë akuzuar dhjetëra zyrtarë të rangut të ulët, pesë prej të cilëve i pret dënimi me vdekje. /Telegrafi/