Fjalimi i dytë i Trumpit në Kongres, ul çmimet e naftës

Prishtinë | 06 Shk 2019 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Çmimet e naftës kanë shënuar një rënie të lehtë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë fjalimit në Kongres përçoi mesazhin se është i gatshëm të rishikojë marrëdhëniet tregtare me Kinën.

Gjatë fjalimit të tij 90-minutash në një sesion të përbashkët të Kongresit amerikan në Washington, Trump tha se Kina për dekada të tëra ka përfituar nga politikat tregtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të shtuar se një marrëveshje e re tregtare me Pekinin duhet të bëjë “ndryshim të vërtetë strukturor”.

“Tash i bëjmë të qartë Kinës se pas viteve në të cilat kishte në shënjestër industritë tona dhe vjedhjes që i bëri pronës sonë intelektuale, i ka ardhur fundi vjedhjes së pasurisë sonë”, tha Trump.

Raundi i ri i negociatave tregtare midis zyrtarëve amerikanë dhe atyre kinezë, pritet të fillojë javën e ardhshme në Pekin.

Ditë më parë Trump tha se bisedimet midis dy ekonomive më të mëdha në botë po shkojnë mirë dhe ka një disponim të mirë tek të dyja palët, megjithatë shtoi se nuk do të ketë asnjë marrëveshje përfundimtare derisa të takohet me presidentin kinez Xi Jinping.

Marka ndërkombëtare e naftës së papërpunuar Brent ka rënë në 61.95 dollarë për fuçi nga 62.11 dollarë të një dite më parë, ndërsa nafta West Texas Intermediate (WTI) tregtohet me 53.66 dollarë për fuçi nga 53.79 dollarë të një dite më parë. 


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme