Fjalori amerikan, Merriam-Webster, do të ridefinojë fjalën “racizëm”, pas sugjerimit të bërë nga një grua me ngjyrë, e cila ka kërkuar që të sqarohet më mirë shtypja e njerëzve të racës së zezë.
Njoftimi për këtë rishikim ka ardhur në kohën e protestave që po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara dhe gjithë botën, kundër brutalitetit të policisë pas vdekjes së George Floydit, njeriut me ngjyrë, i cili ka vdekur pas presionit që i është bërë në qafë nga një zyrtar i bardhë.
Kennedy Mitchum, e sapodiplomuar, ka kontaktuar zyrtarët e këtij fjalori, duke propozuar përditësimin e definicionit të racizmit, transmeton REL.
“Unë u kam thënë atyre se duhet të përfshijnë shtypjen e vazhdueshme ndaj një grupi të njerëzve”, ka thënë ajo për mediat amerikane.
“Nuk ka të bëjë vetëm me faktin ‘nuk më pëlqen dikush’”.
Redaktori i këtij Fjalori, Peter Sokolowski, ka konfirmuar se definicioni do të ndryshohet pas kërkesës së bërë nga Mitchum.
Ky Fjalor aktualisht ofron tri definicione për racizmin, i dyti prej të cilëve përcakton se racizmi është “një doktrinë apo program politik, që bazohet në supozimet për racizmin dhe është i krijuar për të përmbushur parimet e veta”, dhe si “sistem politik apo shoqëror që është krijuar në racizëm”.
Sokolowski ka thënë se ky përshkrim do të bëhet edhe më i qartë në publikimin e radhës.
Në faqen Merriam-Webster, definicionet e fjalëve janë të qasshme falas.