“Të vrasësh zogun përqeshës” e Harper Lee “dhe Aventurat e Huckleberry Finit” nga Mark Twain janë pezulluar nga kurrikulat mësimore të Virxhinias në SHBA për shkak të ankesave të disa prindërve për përdorimin e fjalorit racist.
Nëna e një fëmije të përzier bëri një ankesë zyrtare për këta libra, kryesisht për përdorimin në ta të fjalës “zezak”. Sipas saj, i biri e ka të vështirë t’i lexojë tekstet me këtë gjuhë fyese.
Në letrën e saj, gruaja i referohet edhe situatës aktuale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej vitesh, diskriminimi racor nuk kishte qenë kaq i ndjeshëm dhe dhuna me baza racore është shtuar.
“Tani ne jemi një vend i ndarë kështu si jemi. Nuk na nevojiten nxitje të tjera”, – shkruan gruaja.
Ende nuk është marrë një vendim se çfarë do të bëhet me këta libra në plan afatgjatë. Por ky nuk është një rast i izoluar. Vitin e kaluar, klasiku i Twain u ndalua në shkollat e një tjetër shteti amerikan po për të njëjtat pretendime.
Një muaj më parë, një nënë në Tennessee kryesoi një fushatë për heqjen nga kurrikulat të një teksti që, sipas saj, promovonte propagandën islamike; në Iowa u ndalua libri i Stephen Chbosky-t “Ne jemi pafundësi” për fjalor dhe subjekt homoseksual…
Jo vetëm kaq, por edhe për Biblën ka pasur ankesa… për shkak të nxitjes dhe orientimit fetar, sikur Bibla mund të fliste për diçka tjetër përveç fesë!