Kalifornia është goditur nga një numër ndërprerjesh të energjisë, ndërsa të mërkurën u rishfaq kërcënimi i zjarreve në pjesën veriore, ku janë regjistruar temperatura shumë të larta. Në jug të shtetit stuhi me shira të rrëmbyer kanë shtuar kërcënimin e përmbytjeve.
Mijëra vetë morën urdhër për evakuim si rezultat i 30 vatrave të zjarrit, shumë prej të cilave të shkaktuara nga shkreptima gjatë stuhive.
Zjarret kanë goditur zonat rurale dhe të pyllëzuara rreth San Franciskos, në luginën Sonoma të njohur për vreshtat dhe verën me famë botërore, si dhe në Salinas, pranë Sakramentos, deri në Liqenin Taho në kufi me Nevadën.
Guvernatori Gavin Newsom shpalli të martën gjendjen e jashtëzakonshme si rezulat i zjarreve, duke përgatitur terrenin për grante federale dhe dërgimin e ekipeve të zjarrfikësve nga jashtë shtetit të Kalifornisë.
Will Powers, zëdhënës i Kalifornisë për zjarret, tha “në të gjithë shtetin aktualisht jemi të stresuar për burime të pamjaftueshme njerëzore kundër zjarrit. Mjetet ajrore janë plotësisht të angazhuara në maksimum në të gjithë shtetin,” tha ai.
Në komunën Napa, e njohur për vreshtat me famë, 80-vjeçarja Gail Bickett u fut në kamion me tre qentë dhe u largua për t’u shpëtuar zjarreve që kishin prekur shtëpitë e lagjes, njofton e përditshmja Francisco Chronicle.
“Shumë e frikshme. Tronditëse,” thotë ajo.
Rreth 2000 banesa kanë marrë urdhra për evakuim në zonën e Napës.
Të martën pasdite zjarri po i afrohej Majës Atlas që u dogj në 2017 nga një zjarr që la gjashtë të vdekur dhe shkatërroi 800 banesa.
Robin Sisemore kishte dalë për të lagur bimësinë para shtëpisë së nënës dhe fqinjës. Të dyja janë shtëpi të reja, të ndërtuara pas zjarrit të 2017.
“Nuk mund ta përballojmë përsëri,” thotë vajza e saj, Bridget Enge.
Çifti Sisemore ende nuk është futur në shtëpinë e re. “Burri vuan nga stresi i krijuar nga hera e fundit. U trondit shumë kur pa tymin dhe kur filluam të marrim urdhra për evakuim,” thotë zonja Sisemore.
Beteja me zjarrin është vështirësuar nga temperaturat e larta. Rreth 2000 banesa ishin të martën në errësirë si rezultat i ndërprerjes së furnizimit me energji. Autoritetet paralajmërojnë për ndërprerje të ardhshme si rezultat i stresimit të sistemit nga përdorimi në masë i ajrit të kondicionuar në këto temperatura.
Guvernatori ka urdhëruar një proces hetimor mbi problemet e shfaqura në rrjet.
Zjarri si dhe stuhitë në këtë periudhë uraganesh përbëjnë pengesë në betejën me koronavirusin, tha John Swartzberg, ekspert i sëmundjeve infektive dhe profesor në pension i Universitetit UC Berkeley, i cili ka shërbyer si konsulent për autoritetet në këtë situatë.
“Nëse je prekur nga COVID-19 dhe ekspozohesh ndaj tymit dhe grimcave ndotëse në ajër, si rezultat i zjarrit, sëmundja bëhet edhe më e rëndë,” thotë eksperti për gazetën East Bay Times.
Zjarret mund të keqësojnë përhapjen e koronavirusit, pasi situata ka bërë të nevojshme sjelljen e ekipeve të shumta të reagimit nga pika të ndryshme të shtetit.
“Ky është kombinimi perfekt i kushteve që duhen shmangur në një pandemi,” thotë zoti Swartzberg. /VoA