Ndikimi i Jurgen Kloppit te Liverpooli gjatë katër vjetëve në krye të ekipit ka qenë transformues, por kolegu i tij te Flamengo – ekip me të cilin do të përballet sot, në finalen e botërorit të klubeve – ka shkruar historinë brenda një kohe të shkurtër me skuadrën nga Brazili.
Jorge Jesus mori drejtimin e gjigandit nga Rio de Janeiro në qershor dhe që nga ardhja e tij në krye të Flamengos, portugezi 65-vjeçar ka befasuar për të mirë, shkruan AFP, transmeton Koha Ditore. Ai muajin e shkuar la shenjën e tij, pasi me Flamengon triumfoi në Copa Libertadores, kurse rrëmbeu edhe titullin e kampionit të Brazilit, duke lënë prapa për 16 pikë ndjekësin më të afërt.
Gjatë kësaj periudhe si trajner i Flamengos, Jesus ka përjetuar vetëm dy humbje në 29 ndeshje, kurse ekipi i tij është vetëm një fitore larg ngritjes së trofeut të botërorit të klubeve. Finalja e këtij turneu do të zhvillohet të shtunën (sot) prej orës 18:30 në Doha të Katarit.
Por, Jesus e di shumë mirë që Flamengo nuk do ta ketë lehtë kundër Liverpoolit, që është kampion i Evropës dhe lider aktual në Premier League.