Ekipi Olimpik i Kosovës ka parakaluar në ceremoninë hapëse të Festivalit Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj (EYOF) “Sarajeva dhe Sarajeva Lindore 2019”.
Ceremonia hapëse u mbajt të dielën mbrëma në stadiumin Olimpik “Asim Ferhatoviq Hasa” të Sarajevës, në të cilin 35 vjet më parë u hapën Lojërat Olimpike Dimërore “Sarajeva 1984”.
Flamurin e Kosovës e barti skitarja 16-vjeçare, Klea Vrella. Krahas Vrellës, Ekipi Olimpik i Kosovës gjatë parakalimit përbëhej edhe nga: Elba Kokaj (skitare), Feim Kollçaku (trajner), Egzon Agani (trajner), Jeton Rudari (shef i misionit) dhe Kushtrim Krasniqi (zyrtar për media). Vendi ynë po përfaqësohet në EYOF me të dy skitaret, Klea Vrella dhe Elba Kokaj.
Hapjen zyrtare të EYOF-it, para rreth 20 mijë tifozëve dhe 1600 sportistëve nga 46 shtete të Evropës, e bënë presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës, Janez Kocijançiq, si dhe drejtuesit e shtetit boshnjak dhe qytetit të Sarajevës.Më pas ceremonia u përshkrua me koreografi madhështore, të përcjellura me fishekzjare.