Flamurtari dhe Gjilani kanë luajtur baras 1:1, në ndeshjen e fundit të javës së 8-të të elitës së futbollit kosovar.
Përballja e zhvilluar të enjten në kryeqytet, në një fushë të papërshtatshme për lojë, u vendos në pjesën e parë, ku u shënuan të dy golat.
Flamurtari ishte skuadër më kërkuese dhe qysh në minutën e 6-të kaloi në epërsi me golin e bukur të Alban Shillovës, i cili me 7 gola i prin listës së shënuesve më të mirë.
“Kuqezinjtë” vazhduan të sulmojnë duke e kërkuar edhe golin e dytë. Dumani në minutën e 12-të dhe Shillova në të 16-ën, provuan, por nuk ia dolën.
Rastin e parë serioz Gjilani e pati në minutën e 30-të me Perezin, i cili gjuajti jashtë portës, transmeton KTV.
5 minuta para fundit të pjesës së parë, Gjilani arriti të barazojë rezultatin me Trevin Cesarin, i cili u shkëput më së miri në zonë dhe realizoi me kokë, ani pse ishte më shtatshkurtri në fushë.
Në pjesën e dytë, Flamurtari ishte skuadër më dominuese dhe e kërkoi që nga fillimi golin e dytë.
Rastin më të mirë e pati Shillova, i cili në minutën e 60-të, nuk arriti të mposhtë portierin Kaciu, që shpëtoi gol të sigurt.
Provoi edhe Adem Maliqi, por Kaciu ishte në vend.
Në minutën e 70-të, Gjilani ishte afër golit të epërsisë, kur Lorik Maxhuni i Flamurtarit për pak nuk shënoi në portën e skuadrës së tij.
Deri në fund, vendasit provuan të shënojnë, megjithatë goditjet e Bruqit në minutën e 72-të dhe Kabashi në kohën shtesë, nuk u treguan të saktë dhe ndeshja u mbyll me rezultat të barabartë.
Në javën e 9-të, Flamurtari, që aktualisht renditet i treti, është mysafir i Trepçës ’89, kurse Gjilani, që renditet i pesti, e pret Lirinë e Prizrenit.