Flasim për Shqipërinë, e pasurojmë Serbinë

Prishtinë | 30 Tet 2016 | 09:44 | Nga

Kosova importon shumë më shumë mallra nga Serbia se sa nga Shqipëria. Importet nga Serbia janë dyfish më të larta se sa nga Shqipëria. Por, edhe Shqipëria bën më shumë biznes me Serbinë se sa me Kosovën

Kosova dhe Shqipëria edhe më tutje vazhdojnë të kenë raporte të brishta ekonomike, pavarësisht premtimeve të dyanshme të nivelit politik për heqjen e barrierave në të dyja anët e kufirit.

Bazuar në të dhëna zyrtare shihet se produktet e Shqipërisë çdo ditë e më shumë janë të pranishme në vendin tonë. Ndërkaq, Kosova në këtë shtet kryesisht eksporton mbeturina të metalit për riciklim.

Gjatë vitit 2015 Kosova eksportoi në Shqipëri produkte në vlerë prej 40 milionë euro, më pak se sa në dy vitet paraprake.

Ndërkaq nga Shqipëria importoi produkte me vlerë prej 151 milionë euro, apo rreth 20 milionë euro më shumë se sa në vitin paraprak.

Sipas statistikave zyrtare të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) shihet se në Kosovë janë të regjistruara 893 biznese të Shqipërisë.

Sipas tyre, 256 biznese për veprimtari kanë tregtinë, 141 biznese kanë ndërtimtarinë, 117 akomodim e hoteleri, 107 shërbime administrative, 74 veprimtari profesionale dhe 198 të tjera merren me veprimtari tjera biznes-ore në vendin tonë.

Ndërkaq në Republikën e Shqipërisë operojnë një numër tejet i vogël i kompanive Kosovare.

Gazeta “Zëri” për këtë çështje iu ka dërguar pyetje edhe autoriteteve shqiptare, por edhe pas disa ditë pritjeje nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ata.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme