Dje në media është raportuar se kandidati për kryetar të Prishtinës, nga radhët e LDK-së, nuk është pranuar si kandidat nga KQZ-ja, pasi që të njetit në aplikacionin për certifikim i figuron numri personal sipas letërnjoftimit të UNMIK-ut dhe jo të Kosovës.
“12. Kandidati me numër rendor 1 në listë të kandidatëve për Kuvend Komunal dhe kryetar të Komunës për Komunën e Prishtinës, i figuron numri personal sipas letërnjoftimit të UNMIK-ut dhe jo RKS”, thuhet në dokumentin e KQZ-së të cilin e ka siguruar mbrëmë Gazeta Infokus.
Lidhur më këto raportime ka folur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai thotë se nga data 17 gusht, zyra për regjistrim të partive politike dhe certifikim ka filluar t’i njoftojë subjektet politike për korrigjimet që duhet të i bëjnë.
“Duke u mbështetur në planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, më 17 gusht Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka filluar të njoftojë subjektet politike lidhur me përmirësimet apo korrigjimet që duhet të bëjnë. Kjo është një mundësi që e jep ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligji për zgjedhjet lokale që subjektet politike të paraqesin përmirësimet/korrigjimet Brenda afatit të caktuar nga Zyra”, thonë nga KQZ-ja.
Elezi ka thënë se kanë zhvilluar komunikim me të gjitha subjektet politike ku është vërejtur ndonjë gabim apo mungesë dokumentacioni.
“Zyra ka zhvilluar komunikim të tillë me të gjitha subjektet politike, tek të cilat është evidentuar ndonjë gabim/mungesë dokumentacioni që duhet të përmirësohet/korrigjohet. Pas kësaj faze, si dhe pasi të përmbyllim procesin e verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Zyra do të paraqesë në KQZ rekomandimet për certifikim ose jo të ndonjë kandidati. Si gjithmonë, mbledhjet janë të hapura për mediat dhe do të mund të përcjellin procesin e vendimmarrjes së KQZ-së”, thotë ai.