Flet drejtori i Parkut Kombëtar “Sharri”: Në 3 vitet e fundit nga zjarret janë djegur mbi 100 hektarë

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, këto dy ditë në vendin tonë të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë.

Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 16-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 35-37 gradë Celsius.

Si shkak i kësaj temperaturat e larta në stinën e verës, përveç ndikimeve negative në shëndetin e njeriut, shtohet dukshëm mundësia e përhapjes së zjarreve nëpër pyje, përfshirë edhe pyjet në Parqet Kombëtare.

Gazeta Online “Reporteri.net”, ka kontaktuar me drejtorin e Parkut Kombëtar “Sharri”, Bajram Kafexholli, për ta pyetur sa është i mbrojtur ky park nga zjarret e mundshme.

Ai thotë se me qëllim të parandalimit të paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre, Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka shtuar vigjilencën, gatishmërinë, kontrollin dhe monitorimin e territorit të Parkut me stafin si është shtuar edhe niveli i bashkëpunimit me të gjitha organet relevante.

Kafexholli apelon tek të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht tek vizitorët, banorët e zonave të parqeve, shfrytëzuesit e pronave, dhe qytetarët tjerë që të kenë kujdes maksimal në parandalimin e paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre në territorin e parqeve.

Ai paralajmëron ndëshkime ndaj qytetarëve që ndezin zjarre.

“Ju bëjmë me dije po ashtu se bazuar në Ligjin Nr. 03/L-233 për mbrojtjen e natyrës parashihen dispozitat ndëshkuese për ndezjen e zjarreve”, ka thënë ai për Reporteri.net.

Kafexholli ka treguar se në tre vitet e fundit janë ndezur rreth 20 zjarre në Bjeshkët e Sharrit duke dëmtuar jo pak sipërfaqe të parkut.

“Zjarret në PK “Sharri gjatë përiudhës 2017-2020: Viti 2017: kanë qenë 6 zjarre në zonat malore Kortinik, Bjkeshka e Kabashit, Oshlak, Konjushkë, Kobolicë dhe Vrtop. Dëmët kanë qenë kryesisht në vegjetacionin barishtor në sipërfaqe rreth 3 ha.


Viti 2018: kanë qenë 5 zjarre në zonat malore Bjeshka e Dellocit, Kobilicë, Konjushkë, Koxha Ballkan, dhe Gotovush. Janë dëmtuar kryesisht vegjetacionet barishtore në sipërfaqe prej rreth 2 ha.


Viti 2019: kanë qenë 8 zjarre më të theksuara: 5 zjarre në zonat malore të Brodit dhe Firajës (komuna e Shtërpcës) dhe 3 zjarre në rajonet e fshatrave Brod, Restelicë dhe Krushëve (komuna e Dragashit). Janë dëmtuar kryesisht sipërfaqet barishtgore (kullosat) në sipërfaqe rrath 100 ha.


Viti 2020: në këtë vit nuk ka pasur zjarre të theksuara. Veçohet zjarri në rajonin e fshatit Manasterica ku janë djegur sipërfaqet barishtore dhe shkurrore në sipërfaqe prej 2 ha”, ka thënë Kafexholli.

Parku Kombëtar “Sharri” është shpallur si zonë e mbrojtur me sipërfaqe 39.000 ha në vitin 1986.

Në vitin 2013 është rishpallur dhe zgjeruar në sipërfaqe prej 53,469 ha, e cila shtrihet në territorin e pesë komunave:Dragash (45.1%), Prizren (22.2%), Suharekë (4.7%), Shtërpcë (23.9%) dhe Kaçanik (4.1 %).

Të ngjashme