Flet mjeku i Sylejman Selimit: Mund të udhëtojë drejt Hagës, vetëm në prani të mjekëve

Prishtinë | 08 Jan 2019 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Sylejman Selimi mund të udhëtojë drejt Hagës, por vetëm nën kujdesin e mjekëve.

Kështu ka thënë për Insajderi, Hajdin Thaçi, drejtor i ORL-së, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ai ka shtuar se ish-komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi, është shtrirë në QKUK, gjatë natës së 4 janarit të këtij viti.

I pyetur se a mund të udhëtojë Selimi, nëse kërkohet që ai të shkojë në Hagë, për tu intervistuar nga Prokurori i Prokurorisë Speciale, Thaçi ka thënë se kjo mund të bëhet vetëm nëse gjatë kohës së fluturimit, Selimit i qëndrojnë mjekët afër, duke i dhënë terapitë e nevojshme.

“Ai njeri mund të lëvizë nëse e ka mjekun me veti, nëse e ka terapinë me veti. Mirëpo, në këto rrethana, kur njeriu nuk ka stabilitet në veti, nuk mund ti qes hapat e sigurtë. Në gjendjen që është ai mund të shkojë, por vetëm me infuziona”, ka thënë drejtori i ORL-së, Hajdin Thaci.

“Ai është tek ne është pranuar gjatë datës 4 janar, pra ditën e premte. Ai tek ne duhet të trajtohet të paktën edhe 10 ditë”, ka thënë Thaçi.

Raportimet e mediave javë më parë, thonin se Sylejman Selimi është ftuar nga Gjykata Speciale, dhe sipas tij, data kur ai është dashur të intervistohet nga Prokurori Special, është dita e nesërme (9 Janar 2019). Por, këtë gjë, ende nuk e ka konfirmuar në rrugë institucionale askush.

Selimi, i cili po vuan dënim me burg për rastet Drenica 1 dhe 2 në Qendrën Korrektuese të Kosovës, është shtrirë në spital prej tri ditësh në dy periudha. Insajderi ka mësuar nga burimet se ish-komandanti i UÇK-së është shtrirë fillimisht në QKUK para tri ditësh, për të rikthyer një ditë në burg dhe pastaj sërish në QKUK – ku është duke u trajtuar ende.

Selimit, gjatë kohës sa po shërbente si Ambasador në Tiranë, EULEX-i i ngriti aktakuza për krime lufte, në dy rastet e njohura si “Drenica” 1 dhe 2.

Në fund të dy proceseve, ish-Komandanti i Përgjithshëm i FSK-së u dënua më 14 vjet dënim unik, për të dy rastet; për krime lufte ndaj popullatës civile.

Gjykata Supreme e kishte kthyer në rigjykim rastin “Drenica 1”, rast në të cilin Gjykata e Apelit, Sylejaman Selimit i kishte vërtetur 6 vite burgim për “Tortura ndaj civilëve”.

Ndërkohë, Supremja, në shtator të 2018, për të dytën herë Sylejman Selimit i vërteton dënimin unik prej 7 vite burgim për krime lufte, në Drenica 2.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme