Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës dhe Werder Bremenit, Milot Rashica, i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për ta festuar golin e tij të bukur dhe arritjen në gjysmëfinale të kupës gjermane. Në çerekfinalen e mbrëmshme, ai u shpall lojtari i ndeshjes.
Werder Bremeni siguroi fitore me rezultat 2:0 dje në ndeshjen kundër Schalkes, në kuadër të çerekfinaleve të kupës së Gjermaninë, DFB Pokal. Kjo fitore bëri që skuadra e Milot Rashicës ta sigurojë një vend në gjysmëfinale.
Për ta festuar këtë fitore, kosovari publikoi disa foto në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, ku u shpreh shumë i lumtur për arritjen e tij dhe të skuadrës.
“E mrekullueshme, jemi në finale. Hap pas hapi dhe gjithmonë së bashku #MR11”, shkroi Rashica në llogarinë e tij në Instagram.
Ishte pikërisht Rashica futbollisti që e kaloi në epërsi skuadrën e tij, duke e shënuar një gol të bukur nga largësia në minutën e 65-të të ndeshjes. Ky gol e gëzoi kosovarin shumë dhe kjo u edhe dëshmua përmes festimit të tij.
Në minutën e 72-të të ndeshjes, Davy Klaassen e shënoi edhe golin e dytë në këtë ndeshje, duke ia siguruar Bremenit fitoren dhe vendin në gjysmëfinale.
Rashica u shpall lojtari i ndeshjes dhe ai e mori notën më të lartë nga të gjithë lojtarët në fushë edhe nga SofaScore, që e vlerësoi atë me notën 8.1.
Anësori i Kosovës ka qenë në superformë gjatë kohës së fundit për klubin gjerman. Ai i ka shënuar pesë gola dhe e ka asistuar një tjetër në katër ndeshjet e fundit.