Një 31-vjeçare nga Podujeva është larguar nga shtëpia mesnatën e së dielës, sipas vëllait të saj. Largimin e saj nga shtëpia e ka raportuar në polici vëllai, i cili ka deklaruar se motra i ka lënë katër fëmijët në shtëpi te ai.
Pas punës, A.I. nga Podujeva thotë se e ka marrë motrën E.B. nga shtëpia e burrit, për ta festuar natën e dytë të Vitit të Ri. Bashkë me 31-vjeçaren ishin edhe katër fëmijët e saj.
E gjithë familja kishte festuar bashkë, e pas festës ishin shpërndarë për të fjetur. Por, atë mesnatë, E.B. kishte dalë nga shtëpia e vëllait, duke i lënë aty edhe katër fëmijët e saj.
Vëllai i 31-vjeçares ka deklaruar për Express se familja nuk kishte vërejtur asgjë të dyshimtë te ajo.
“Ku është nuk e dimë, veç na ka bë shumë merak. Atë natë unë pas punës e kam marrë bashkë me fëmijët, për ta festuar natën e dytë të Vitit të Ri. Kemi festu, kemi ndenjur të gjithë bashkë, e pastaj jemi shpërnda nëpër dhoma me fjet”, ka deklaruar A.I.
Ai tha se në kamerat e sigurisë që gjenden afërsi shtëpisë së tij, e ka parë motrën duke u larguar në mesnatë.
“I kam kthye kamerat, e kam pa që është largu prej shtëpisë në orën 01:46, i ka marrë dy valixhe”, ka deklaruar ai.
A.I. thotë se nuk kishte vërejtur ndonjë pakënaqësi te motra e tij, e cila po qëndronte te shtëpia e bashkëshortit, i cili ka vdekur qe tri vite.
“Unë punoj te familja e ish-burrit të saj, nëse motra nuk kish kalu mirë unë s’kisha punu. Jetën e ka pasë shumë të mirë, ka kalu mirë, është familje shumë e mirë. Burri i ka vdekur qe tri vite, por ajo ka vazhdu me qëndru bashkë me fëmijët sepse e kanë pasur jetën e mirë. Me fëmijët ka qenë shumë e lidhur, ekstrem e lidhur. Fëmijët e saj janë më të mirët në shkollë, janë të edukuar”, ka deklaruar ai.
Vëllai i 31-vjeçares tha se në rrjetin social “Snapchat” ka marrë një mesazh nga dikush që pretendon se është motra e tij, por ky nuk i beson dërguesit të atij mesazhi.
“Më ka ardhë një mesazh në Snapchat, dikush e ka hap një llogari në emrin e vajzës së motrës. Por, nuk është ajo, ajo nuk shkruan ashtu. Unë e njoh motrën time, e di si më drejtohet mua, edhe si shkruan. Ajo shkruan pa gabime, mesazhi ishte krejt ndryshe. Unë veç lutem me m’kontaktu, veç le të është mirë”, ka deklaruar ai.
Ai tha se është e pamundur ta kontaktojë motrën, pasi telefoni i saj është i fikur dhe rrjetet sociale të saj nuk janë më aktive. Po ashtu, vëllai i 31-vjeçares tha se policia e ka informuar që lokacioni i fundit ku është gjurmuar telefoni i saj është në afërsi të rrugës Obiliq-Mazgit.
Ndryshe, për zhdukjen e 31-vjeçares nga Podujeva ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të së hënës.
“Podujevë 02.01.2022 – 01:46. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se ditë më parë, motra e tij e dyshuara f/kosovare ka lënë katër fëmijët e saj tek ai dhe është larguar në drejtim të panjohur. Njësia përkatës policore është duke hetuar rastin”, ka bërë të ditur policia.