Blerim Selmani, 18 vjeç nga Prizreni, i ka rritur flokët për një periudhë afër dyvjeçare. Kaçurrelet kanë shtuar hijeshinë e buzëqeshjes së tij. Megjithëkëtë, kohë më parë ka vendosur që t’i shkurtojë ata. Por nuk ka dashur që t’i çojë dëm.
Ka vendosur që t’i dhurojë për bamirësi, respektivisht për personat e prekur nga kanceri. Prerjen e flokëve e ka realizuar në një aktivitet publik të organizuar nga OJQ-ja “Environment & Community Development” në Parkun e Qytetit të Prizrenit, shkruan sot Koha Ditore.
“E kam parë një video në Amerikë. Prej asaj jam frymëzuar. Pastaj e gjeta organizatën ECD dhe bashkë me ta kemi vendosur të realizojmë aktivitetin e dhurimit të flokëve, që së paku një buzëqeshje t’ua kthejmë personave me sëmundjen e kancerit”, ka thënë Selmani. Ai ka pohuar se vendimin për prerjen e flokëve dhe realizimin e një aktiviteti ndërgjegjësues e ka marrë bashkë me drejtuesit e organizatës, në mënyrë që të tregohet përkrahja për personat që përballen me sëmundjen e kancerit.
“Njeriu mundet me ndihmu me çka do, vetëm varet se a dëshiron ta bëjë këtë. Unë do të ndihem mirë nëse së paku një buzëqeshje ua dhurojmë atyre personave”, ka deklaruar Selmani. Sipas tij, është detyrë e secilit pjesëtar të shoqërisë që edhe me veprime simbolike të dëshmojë solidaritetin dhe dashurinë për të tjerët.
Selmani sapo ka kryer shkollimin e mesëm në mjekësi. Planet e tij janë që të studiojë në mjekësi.
“Porosia ime për moshatarët e mi është që të jenë sa më solidarë dhe të ofrojnë sa më shumë dashuri. Kjo mjafton për neve”, është shprehur ai.
Qëndrimin e njëjtë e ka shprehur edhe para pjesëmarrësve në aktivitetin e realizuar në javën e tretë të muajit qershor.