FMN-ja vlerëson BQK-në për agjendën ambicioze dhe reformat institucionale për stabilitet financiar

Prishtinë | 24 Dhj 2024 | 10:36 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është vlerësuar lartë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pas përfundimit të Konsultimeve të Nenit IV për vitin 2024 dhe Rishikimit të Tretë të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Marrëveshjes për Qëndrueshmëri (RSF), pas qëndrimit të misionit të FMN-së në vendin tonë nga data 28 tetor deri më 11 nëntor 2024.

Raporti i stafit të FMN-së, i udhëhequr nga z. David Amaglobeli – Shefi i Misionit për Kosovën, ka mirëpritur progresin e bërë nga BQK në avancimin e kuadrit ligjor dhe mbikëqyrës si dhe reformat e ndërmarra nga BQK për ruajtjen e stabilitetit financiar.

Vlerësimi pozitiv i FMN-së thekson qasjen proaktive të BQK-së në forcimin e qeverisjes, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë financiare, pagesave digjitale, si dhe reformat e ndërmarra për harmonizim me standardet dhe praktikat e zbatuara në Bashkimin Evropian.

Për më tepër, FMN vlerësoi progresin e BQK-së në avancimin e kuadrit ligjor përmes Ligjit të ri për Bankat, i cili ka vendosur bazën për praktika moderne rregullatore dhe mbikëqyrëse, si dhe Ligjit për Shërbimet e Pagesave, përveç forcimit dhe avancimit të mbikëqyrjes bankare. Gjithashtu, thekson se modernizimi i procesit të mbikëqyrjes bankare, përfshirë Procesin e Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), është në përputhje me kuadrin mbikëqyrës të zbatuar nga Autoritetet Mbikëqyrëse Evropiane.

Sipas raportit, sektori bankar mbetet i shëndetshëm – fitimprurës dhe mirë i kapitalizuar, me nivele të ulëta të kredive joperformuese dhe potencial të konsiderueshëm për zgjerim. Largimi i tarifave për llogaritë bazike bankare dhe masat administrative për të luftuar informalitetin kanë kontribuar në rritjen qasjen në financa dhe kredive për ekonomitë familjare.

Raporti thekson se Programi ka përformuar mirë, të gjitha kriteret e performancës kuantitative dhe treguesit kyç për rishikimin e tretë të Marrëveshjes Stand-By janë përmbushur.

Në përfundim, BQK shpreh mirënjohjen e saj ndaj ekipit të FMN-së për bashkëpunimin konstruktiv dhe mbështetjen në formën e asistencës teknike për avancimin e procesit të reformave.

Për më shumë detaje, ju lutemi lexoni këtu njoftimin e plotë për shtyp 🔗 https://www.imf.org/en/News/Articles/2024/12/21/pr-24497-kosovo-imf-concludes-2024-aiv-consultation-and-3rd-rev-under-sba-and-rsf-arrangements dhe Raportin 🔗 https://www.imf.org/en/Publications/CR/Issues/2024/12/21/Republic-of-Kosovo-2024-Article-IV-Consultation-and-Third-Reviews-Under-the-Stand-By-559944 të publikuar nga FMN

Të ngjashme