Fondi Monetar Ndërkombëtar po parashikon një recesion të thellë global në vitin 2020 për shkak të pandemisë së Covid-19, duke theksuar se ekonomitë globale pritet të tkurren me 4.4 për qind.
Duke folur të martën në Forumin Ekonomik Botëror të FMN-së në Boston, ekonomistja e lartë e FMN-së, Gita Gopinath tha se pandemia ka shkaktuar mbylljen e bizneseve dhe industrive në të gjithë botën.
Ndërsa shumica e ekonomive të botës janë rihapur, duke e shtyrë FMN-në të bëjë ndryshime të vogla në parashikimin e saj të qershorit, Gopinath tha se rritja e rasteve me koronavirus dhe pasiguritë e tjera politike sugjerojnë që rimëkëmbja ekonomike globale do të jetë e ngadaltë dhe e pabarabartë deri në vitin 2021.
Zyrtarja e FMN-së Gopinath tha se qeveritë mund të bëjnë disa gjëra për të shpejtuar rimëkëmbjen ekonomike në të gjithë botën. Ajo bëri thirrje për një bashkëpunim shumë më të mirë ndërkombëtar për t’i dhënë fund pandemisë, në drejtim të krijimit dhe ndarjes së trajtimeve dhe vaksinave sapo ato të jenë në dispozicion dhe prodhimin e tyre në shkallë të gjerë.
Ajo theksoi gjithashtu se politikat monetare dhe fiskale kombëtare nuk duhet të jenë tepër të kufizuara. Në mënyrë të veçantë, ajo tha se qeveritë duhet të përqendrohen në ndihmën e drejtpërdrejtë për familjet dhe bizneset.
Në komentet për agjencinë franceze të lajmeve, Gopinath tha se nëse Shtetet e Bashkuara miratojnë një paketë tjetër stimuluese të ngjashme me masën prej 2.2 trilionë dollarësh të miratuar në fillim të këtij viti, ajo do të ndihmonte në mënyrë të konsiderueshme ekonominë amerikane, si dhe botën.
Gopinath tha se nëse një paketë e dytë stimuluese nuk miratohet nga Kongresi amerikan, FMN parashikon që ekonomia e Shteteve të Bashkuara do të rritet me rreth 3.1 për qind vitin e ardhshëm. Por ajo tha se një paketë e dytë financiare do të shtonte rritjen me 0.2 për qind, duke e sjellë ekonominë amerikane përsëri në nivelet para-pandemisë shumë më shpejt.
Ajo tha se një rimëkëmbje e shpejtë nga ekonomia më e madhe në botë do t’i sillte dobi botës, veçanërisht fqinjëve të saj, Meksikës dhe Kanadasë.