FMN: Reduktimet e rrymës si masë e menaxhimit të krizës, opsioni i fundit

Prishtinë | 04 Nën 2022 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën udhëheqjen e Gabriel Di Bella, zhvilloi një vizitë në Prishtinë nga 25 tetori deri më 4 nëntor, në kontekst të konsultimeve në kuadër të Nenit IV për vitin 2022.

Në deklaratën përmbyllëse të këtij misioni, FMN-ja, mes tjerash, ka prekur edhe çështjen e rritjes së çmimit të energjisë.

Aty thuhet se programet qeveritare për zbutjen e ndikimit të kostove të rritura të energjisë duhet të jenë të përkohshme dhe të targetuara.

“Këto masa duhet të kenë për qëllim zbutjen e ndikimit të çmimeve më të larta të energjisë dhe, për rrjedhojë, duhet të jenë të përkohshme dhe të targetuara ndaj familjeve të cenueshme dhe bizneseve të qëndrueshme. Furnizimi i paqëndrueshëm me energji elektrike në vend paraqet domosdoshmërinë për kursime të energjisë përmes rishikimeve më të shpeshta të tarifave për t’i reflektuar kostot (nga një në së paku dy në vit), me tarifa më të larta për konsum në orët e pikut për klientët jo të cenueshëm. Një gjë e tillë do të bënte të mundur nivelizimin e kërkesës për energji elektrike brenda ditës dhe uljen e çekuilibrit të përgjithshëm financiar të sektorit gjatë dimrit”, thuhet ndër të tjera në raportin e FMN-së, raporton Klankosova.tv.

Ndërprerjet e energjisë elektrike si formë e menaxhimit të përkohshëm të tronditjeve, FMN-ja thotë se duhet të jenë opsioni i fundit, duke pasur parasysh kostot e larta sociale dhe ekonomike.

“Tani për tani, analiza dhe planifikimi i kujdesshëm i skenarëve dhe dialogu i përforcuar midis aktorëve kryesorë të sektorit janë elemente thelbësore, duke pasur parasysh që çmimet ndërkombëtare të energjisë pritet të mbesin mbi nivelet e tyre para luftës në një perspektivë të parashikueshme”, theksohet në një pjesë të këtij raporti.

Deklarata përmbyllëse përshkruan gjetjet preliminare të stafit të FMN-së në fund të vizitës zyrtare (apo ‘misionit’), në shumicën e rasteve në shtetin anëtar. Misionet realizohen si pjesë e konsultimeve të rregullta (zakonisht vjetore) në kuadër të Nenit IV të Neneve të Marrëveshjes të FMN-së, në kontekst të kërkesës për t’i shfrytëzuar resurset e FMN-së (huamarrje nga FMN), si pjesë e diskutimeve të programeve të monitoruara të stafit, apo si pjesë e monitorimeve të tjera nga stafi të zhvillimeve ekonomike.

Të ngjashme