FOL identifikon mangësitë në zbatimin e ligjit për privatësinë në institucionet publike

Prishtinë | 24 Dhj 2024 | 12:18 | Nga Gzim Mujaj

Lëvizja FOL ka identifikuar një sërë mangësish në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në institucionet publike, raporton Ekonomia Online.

Gjatë publikimit të raportimit “Niveli i zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në institucionet publike – Raport mbi rezultatet e anketës”, u tha se institucionet nuk po i kryejnë obligimet e parapara me ligj.

Albana Hasani nga Lëvizja Fol, tha se ky raport ka për qëllim skanimin e situatës aktuale të mbrojtjes së të dhënave aktuale personale në institucionet publike. 

Ky raport ka për qëllim skanimin e situatës aktuale të mbrojtjes së të dhënave personale në institucionet publike të Kosovës, si dhe të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në këtë raport janë përfshirë të dhënat e pranuara nga 105 institucione publike. Nga këto 105 institucione, 92 kanë emëruar tashmë zyrtarin përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërkohë 13 institucione të tjera ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim. Pjesa më e madhe e institucioneve publike, përkatësisht 82 prej tyre, nuk i kanë hartuar dhe publikuar politikat e privatësisë, duke mos përmbushur një nga kërkesat thelbësore për mbrojtjen e të dhënave personale. Këtë obligim e kanë kryer vetëm 23 institucione publike, gjë që thekson nevojën urgjente për forcimin e zbatimit të ligjit dhe ndërgjegjësimin e institucioneve për rëndësinë e transparencës dhe mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve.”

“Sa i përket ankesave nga qytetarët për shkeljen/mbrojtjen e të dhënave personale, 4 institucione kanë konfirmuar se kanë pasur ankesa të tilla. Ndërsa shumica dërmuese, përkatësisht 101 institucione publike, kanë mohuar të kenë pasur ndonjëherë ankesa nga qytetarët për çështje të tilla. Në një mënyrë, ky rezultat mund të tregojë mungesë të vetëdijesimit të qytetarëve për mundësinë/mënyrën e paraqitjes së ankesave, apo një mungesë besimi të qytetarëve për mënyrën e trajtimit të ankesave. Kjo nënvizon nevojën për ngritjen e vetëdijes së publikut se kanë të drejtë të paraqesin ankesa të tilla, si dhe forcimin e mekanizmave për të adresuar ankesat e lidhura me mbrojtjen e të dhënave,” ka thënë ajo.

Hasani theksoi se pjesa më e madhe e institucioneve nuk i kanë hartuar politikat e pavarësisë, për çka tha se konsiderohen dokumente kryesore për të siguruar sigurinë e të dhënave.

“Nga 105 institucione publike të cilat të cilat i janë përgjigjur kërkesave tona për qasje në dokumente publike, 92 prej tyre apo 88 për qind e institucioneve i kanë emëruar tashmë përgjegjësit për mbrojtjen e të dhënave personale…Ndërkohë 13 institucione të tjera apo 12 për qind e tyre ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim parësor të paraparë me ligj. Krahas progresit të arritur, kjo tregon që mbetet ende punë për tu bërë për tu siguruar që të gjitha institucionet publike i kanë caktuar zyrtarët përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale. Pjesa më e madhe e institucioneve publike, përkatësisht 82 sosh apo 78 për qind e institucioneve nuk i kanë hartuar dhe publikuar politikat e privatësisë”, shtoi ajo.

Komisionerja për informim dhe privatësi, Krenare Sogojeva ka pohuar se gjendja nuk është e mirë.

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, e cilësoi shqetësuese gjendjen që tregon raporti.

Ajo e ka parë si sfidë mosndërgjegjësimin e qytetarëve mbi të drejtat e tyre të privatësisë.

“Raporti tregon një gjendje jo të mirë, dhe kjo tregon edhe ndërgjegjësimin tonë si qytetarë në raport me mbrojtjen e privatësisë sonë. Fakti që në institucione janë paraqitur vetëm një numër i vogël ankesa, rreth 2% të ankesave për mbrojtjen e të dhënave personale, tregon që qytetari nuk e njeh të drejtën e tij për privatësi. Është gjithashtu e dhimbshme që institucionet nuk e kanë trajtuar obligimin që kanë ndaj ligjit për t’i trajnuar zyrtarët e tyre,” ka thënë ajo.

Të ngjashme