Lëvizja FOL ka mbajtur konferencë për medie rreth zbatimit të vendimeve të institucioneve shëndetësore për parandalimin dhe luftimin e Covid-19, nga vetë institucionet publike, raporton Ekonomia Online.
Mexhide Demolli- Nimani, drejtoresh ekzekutive e Lëvizjes FOL tha, kanë pranuar informata nga punonjës të institucioneve të ndryshme në nivel qendror, të cilët janë thirrur të dalin në punë me orar të plotë nga data 14 shtator.
“Në anën tjetër, vendimi i datës 1 korrik 2020 i Qeverise së Republikës së Kosovës, me Nr. 11/09, i obligon të gjitha institucionet publike që të punojnë me staf të reduktuar dhe angazhimin e tyre me punë nga shtëpia, si dhe përgjysmimin e personave në secilën zyre, dhe duke pasur parasysh që ende ka numër të lartë të rasteve me COVID 19, i njëjti vendim ende nuk është shfuqizuar apo ndryshuar”.
Sipas saj, edhe në vendimin e datës 28 korrik institucionet publike obligohen që të menaxhojnë paraqitjen e stafit ne punë në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.
“Për tu mbrojtur nga pandemia COVID 19 dhe për të parandaluar përhapjen e saj, një ndër masat e përgjithshme është paraparë edhe mbajtja e distancës, e cila është e pamundur te sigurohet nëse fillohet puna me staf dhe me orar të plotë nëpër institucionet shtetërore, ku numri i të punësuarve është relativisht i madh”, tha ndër të tjera ajo.
“Në lidhje me ketë është nxjerrë edhe Manuali për Parandalimin dhe Luftimin e COVID 19, ku ndër të tjera thuhet se ‘punëdhënësit duhet të shqyrtojnë mundësinë e zhvillimit të rregulloreve dhe praktikave, siç janë oraret fleksibile (p.sh. puna nga shtëpia, ndërrimet e fuzionuara), për të rritur distancën fizike ndërmjet punonjësve dhe të tjerëve”.
Erblin Hoxha nga kjo organizatë ka thënë me këtë po rrezikohet jeta e qytetarëve.
“Duke qenë se hapësirat e këtyre institucioneve nuk janë të bollshme në krahasim me numrin e lartë të të punësuarve, ministritë nuk i përmbushin standardet për distancë fizike”, tha ai.
“Edhe pse statistikat për dënimet e shqiptuara ndaj qytetareve dhe bizneseve janë publiku, e ku janë mbi 18 mijë dënime të shqiptuara për mos mbajtje të maskës, apo distancës, ne nuk kemi shifra sa i përket dënimeve të shqiptuara për personat zyrtar apo institucionet publike për mos-respektim masave anti- COVID”, tha Hoxha.