FOL në Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për Informim, reagon ndaj qasjes së institucioneve publike dhe ju bënë me dije që kjo e drejtë qytetare po cenohet në baza ditore. Qytetarët vazhdojnë të mos kenë qasje në informata nga institucionet edhe për çështjet mjaft të rëndësishme të cilat u përkasin atyre.
E drejta e informimit është e drejtë e inkorporuar në të drejtën e lirisë së shprehjes, poashtu kjo e drejtë është e garantuar edhe me Kushtetutën e vendit dhe Ligjin për Qasje në Dokumente Publike. Si e drejtë, bazohet në parimin e demokracisë së mirëfilltë në të cilën ne si shtet duhet të thirremi. E drejta e informimit ndikon edhe në rritjen e llogaridhënies institucionale duke funksionalizuar raportin mes qytetarit dhe qeverisë.
Lëvizja FOL me 17 shtator 2020, ka bërë kërkesë për qasje në dokumente publike, në gjashtë institucione publike të cilat në baze të ligjit nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID 19 në territorin e Republikës së Kosovës, ngarkohen me zbatimin e këtij ligji siç janë: Policia e Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë – Inspektorati Sanitar, Ministria e Shëndetësisë: Inspektorati Shëndetësor dhe Inspektorati Farmaceutik, Komunës së Prishtinës (Inspektoratin Komunal).
Kanë kaluar plotë dhjetë ditë nga koha kur FOL ka kërkuar qasje në këto informata dhe institucionet përgjegjëse të kontaktuara nuk kanë dërguar as edhe një informatë të vetme, përveç Policia e Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, të cilat edhe ashtu nuk i kanë ofruar të dhënat e detajuara siç i kemi kërkuar.
Këto janë vetëm disa nga kërkesat e shumta që FOL dërgon tek institucionet e Kosovës dhe për të cilat nuk arrin të marrë përgjigje.
Në tërë ketë situatë të vështirë sa i përket të drejtës qytetare për informim ka ndikuar edhe dështimi i Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi, i cili do të merret edhe me zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokument Publike.
Andaj ne si FOL u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të respektojnë të drejtën e informimit dhe obligimet e tyre ligjore si dhe u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë këmbëngulës në mbrojtjen e të drejtave të tyre.