Lëvizja FOL ka mbajtur tryezë në të cilën u diskutua raporti “Performanca e gjyqësorit dhe prokurorisë në luftën kundër korrupsionit” për vitin 2017.
Jeton Zulfaj tha se ky është edicioni i dytë i raportit që Lëvizja Fol ka bërë matje të statistikave për performancën e prokurorisë dhe gjykatave në luftën kundër korrupsionit, raporton Ekonomia Online.
“Për çdo ditë hasim termin korrupsion dhe sivjet ka qenë shumë i pranishëm në faktin që ka mbetë kriteri i fundit për liberalizim të vizave dhe në përgjithësi si vitet e tjera edhe këtë vit kemi mbërritur që edhe Prokuroria edhe Gjykata kanë arritur performancë pozitive në luftën kundër korrupsionit duke mos arritur me gjyku në nivel me meritat e secilit rast”, tha Zulfaj.
“Edhe këtë vit ka pasur keqpërdorime të pozitës zyrtare për interesa personale dhe kjo mbetet vepra kryesore penale e cila është përsëritur në 90% të rasteve që tregon edhe matjen e korrupsionit”, shtoi Zulfaj.
Zulfaj shtoi se Prokuroria në fillim të vitit 2017 ka pasur 1177 lëndë të pazgjidhura, që kanë qenë të bartura nga viti 2016, ndërsa si lëndë të reja që kanë ardhur gjatë vitit kanë qenë 622 lëndë, kështu duke bërë që gjatë vitit 2017 prokuroritë të trajtojnë 1799 lëndë.
Ndërsa sa i përket punës së gjykatave, në përgjthësi gjykatat në fillim të vitit 2017 kanë pasur 355 lëndë të pazgjidhura.
“Në janar të vitit 2017 gjykatat kanë pasur 355 lëndë të pazgjidhura dhe janë pranuar 223 lëndë të reja të korrupsionit që së bashku janë bërë 578 lëndë, por janë zgjidhur 254 lëndë dhe kanë mbetur 324 lëndë që duhet zgjidhur”, shtoi Zulfaj.
Zylfaj tha se sa më pak lëndë të bartura, aq më shpejt pritet që vitin tjetër të trajtohen lëndë të reja dhe personat po ashtu të presin sa më pak për drejtësi, raporton EO.
Ai shtoi se prej qyteteve, komuna e Prishtinës ka qenë vendi që ka numrin më të madh të lëndëve të raportuara dhe të bartura nga viti i kaluar.