Lëvizja FOL si pjesë e programit “Kërko Drejtësi”, ka lansuar sot platformën e-Gjykata. Për dallim prej portalit ekzistues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kjo platformë ofron filtra të shumtë dhe të ndryshëm duke bërë të mundur qasjen në vendimet e gjyqësorit në një formë të lehtë, të shpejtë dhe kreative.
Gersi Gashi nga Lëvizja FOL tha se kjo platformë kontribuon në ngritje të transparencës së gjyqësorit duke krijuar qasje më të lehtë për qytetarët dhe akterët e ndryshëm të gjyqësorit. “Në platformën e-Gjykatat janë mbi 700 vendime të gjyqësorit, kërkimi i të cilave është më i lehtë në bazë të 13 filtrave të ndryshëm.
Gjithashtu mbi 1,600 formularë të deklarimit të aseteve të gjyqtarëve janë vendosur në mënyrë të vizualizuar. Qëllimi i kësaj platforme është të ofrojë një mënyrë të re të qasjes së informatave për gjyqësorin. Gjykatat të cilat kanë publikuar më së shumti vendime janë Prishtina, Prizreni dhe Gjilani, ndërsa ato me më së paku janë Mitrovica, Peja, dhe Gjakova,” tha Gashi.
Lëvizja FOL përmes këtij projekti është duke shtyrë përpara ndryshimet e nevojshme ligjore për publikimin e të gjitha vendimeve dhe informatave të tjera rreth gjyqësorit, me qëllimtë ngritjes së transparencës. Po ashtu projekti ka për qëllim që të vetëdijësojë gjyqësorin rreth evidentimit dhe publikimit të arsyeve të mos-mbajtjes së seancave. Të dy këto do të ishin veprime konkrete që do të përmirësonin transparencën e gjyqësorit me qëllim të rritjes së besimit të qytetarëve.
Platforma e-Gjykata mundëson kërkimin e vendimeve në bazë të filtrave të ndryshëm si: (a) baza ligjore (ligji/ kodi dhe neni/ et përkatëse), (b) datës së vendimit të gjykatës, (c) datës së inicimit të procedurës dhe dhjetë (10) filtra tjerë të ndryshëm. Platforma, gjithashtu, ka paraqitur në mënyrë të vizualizuar deklarimet e pasurisë së gjyqtarëve/eve.