Fondacioni “Hasan Prishtina” i dhuron bustin e heroit kombëtar Muzeut të Normales së Elbasanit

Prishtinë | 07 Mar 2024 | 17:48 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Fondacioni “Hasan Prishtina” i dhuroi bustin e Heroit Kombëtar Hasan Prishtina Muzeut të Normales së Elbasanit.

Me këtë rast, drejtori i Fondacionit, Mehmet Prishtina, ishte i ftuar në organizimin e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Luigj Gurakuqi” në ceremoninë festive me rastin e Ditës së Mësuesit.

Në fjalën e tij, Mehmet Prishtina, pasardhës i heroit, tha se Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare veproi si atdhetar e ideolog i shquar.

“Roli dhe kontributi i tij u theksua edhe në fushën e zhvillimit të arsimit kombëtar gjatë periudhës sa ishte deputet në parlamentin osman (1908-1912). Ai bëri vazhdimisht përpjekje që të hapeshin shkolla në Shqipëri dhe në to të zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe në mënyrë që nxënësit të edukoheshin e arsimoheshin në frymën kombëtare. Ai preferonte ndarjen e arsimit profesional, laik dhe fetar. Në tërë këto përpjekje të tij, Hasan Prishtina vendosi të ndante 5% të të ardhurave vjetore, të cilat do t`i shpenzonte në dobi të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve në Shqipëri. Dha kontribut të theksuar në hapjen e shkollave në Vilajetin e Kosovës, ndërsa në shkollën Normale të Elbasanit dërgoi djem nga vise të këtij Vilajeti, shkollimin e të cilëve e financoi me mjete të tij. Kontributi i Hasan Prishtinës në këtë aspekt është një tablo realiste e ngritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve për liri dhe pavarësi nga Perandoria Osmane”.

“Sot në Ditën e Mësuesit, dhurata më e mirë që mund t’ua bëjmë paraardhësve tanë është ngritja e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, kurse dhurate simbolikë për të tashmen dhe të ardhmen, për nxënësit dhe mësuesit e Normales së Elbasanit, nga Fondacioni “Hasan Prishtina” është pikërisht busti i Heroit Kombëtar Hasan Prishtina, i cili nga sot do të qëndrojë pranë jush i derdhur në bronz”, theksoi ai.

Fjalimi i plotë i drejtorit të Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina:

Hasan Prishtina e konsideronte Shkollën Normale të Elbasanit si çerdhe për zhvillimin e arsimit e të kulturës kombëtare dhe si qendër e rëndësishme politike, në të cilën edukoheshin, arsimoheshin e kaliteshin në frymën atdhetare patriotë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për këtë arsye ai e quajti Elbasanin si “Qendra e parë e vëllazërimit të rinisë shqiptare”.

Meqenëse hapja e shkollave në gjuhën shqipe nuk gjeti mbështetjen financiare të qeverisë xhonturke, atëherë Hasan Prishtina i bënte thirrje shqiptarëve të pasur anembanë, që me të ardhurat e tyre, ta ndihmonin financiarisht qëndrueshmërinë e tyre infrastrukturore, në inventar, kuadro e nxënës, gjë e cila ishte e rëndësishme për përhapjen e diturisë në Shqipëri. Për këtë çështje ai kishte vendosur të jepte 5% të të ardhurave vjetore në dobi të zhvillimit të arsimit kombëtar. Ai këshilloi që shembullin e tij ta ndiqnin edhe atdhetarë të tjerë shqiptarë që kishin pasuri të mjaftueshme e që mund të mbulonin shpenzimet e nevojshme për nevojat e këtyre shkollave. Kjo shumë që caktoi Hasan Prishtina nuk ishte e vogël, por që kontribuonte dukshëm në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve shqiptarë në frymën kombëtare, nevojë kjo e cila ishte urgjent për të nxjerrë popullin nga gjendja e mjerë e analfabetizmit. Me këto mjete materiale që ndau enkas, ai mbante hapur rreth dhjetë shkolla shqipe në Vilajetin e Kosovës dhe shkollonte në Normale të Elbasanit 70 nxënës.

Jam i nderuar që sot bashkë me ju drejtues, pedagog dhe student të këtij institucioni të mesëm që mban emrin e shenjtë “Normalja e Elbasanit – Luigj Gurakuqi”, t’i gëzohemi këtij jubileu të rëndësishëm prej mbi një shekulli. Ky institucion arsimor përfaqëson historinë më të lavdishme të arsimit shqip, duke qenë i lidhur me rrënjët e themelimit më 01 dhjetor 1909, në Elbasan, në këtë vend që është edhe sot, pas 115 vitesh. Për rrjedhojë kjo vatër arsimore është vazhdimësi e dritës iluministe që shpërndanë motrat Sevasti & Parashqevi Qiriazi dhe Kristo Dako, të cilët përbënin hallkat më të rëndësishme që lidhën dy periudha historike të kombit tonë, ose pragun prej nga kalohej nga errësira shekullore në dritën e diturisë që sfidoi terrin aziatik shumëshekullor.

Ky institucion, i njohur edhe si “Normalja e Elbasanit”, apo edhe si “Shkolla e mesme e bashkuar”, në të vërtet ishte vijim i shkollës së vashave, ose Kolegjit amerikan, të hapur në Korçë, në vitin 1891. Shkolla quhej “Shkolla amerikane e vajzave” dhe u hap me iniciativën e Gjerasim Qiriazit, i ndihmuar gjatë të gjithë periudhës së funksionimit nga “Bordi Amerikan i Komisioneve për Misionet e Huaja”.

Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare veproi si atdhetar e ideolog i shquar. Roli dhe kontributi i tij u theksua edhe në fushën e zhvillimit të arsimit kombëtar gjatë periudhës sa ishte deputet në parlamentin osman (1908-1912). Ai bëri vazhdimisht përpjekje që të hapeshin shkolla në Shqipëri dhe në to të zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe në mënyrë që nxënësit të edukoheshin e arsimoheshin në frymën kombëtare. Ai preferonte ndarjen e arsimit profesional, laik dhe fetar. Në tërë këto përpjekje të tij, Hasan Prishtina vendosi të ndante 5% të të ardhurave vjetore, të cilat do t`i shpenzonte në dobi të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve në Shqipëri. Dha kontribut të theksuar në hapjen e shkollave në Vilajetin e Kosovës, ndërsa në shkollën Normale të Elbasanit dërgoi djem nga vise të këtij Vilajeti, shkollimin e të cilëve e financoi me mjete të tij. Kontributi i Hasan Prishtinës në këtë aspekt është një tablo realiste e ngritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve për liri dhe pavarësi nga Perandoria Osmane.

Në kohën kur kishin filluar të formoheshin klubet shqiptare, të cilat në platformën e tyre përfshinin edhe çështjen e arsimimit të shqiptarëve në gjuhën amtare, me shkollën shqipe në Vilajetin e Kosovës u mor Klubi Shqiptar i Shkupit, i formuar në gusht të vitit 1908 me kërkesën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Nexhip Dragës, Bedri Pejanit etj. Ndër aksionet e mëdha të këtij Klubi ishte edhe inicimi i Kongresit të Alfabetit Kombëtar. Kështu, më 14-22 nëntor 1908, në Manastir, u mbajt Kongresi i Alfabetit. Mirëpo, me gjithë vështirësitë e pengesat me të cilat u përball ky Kongres, veprimtaria për realizimin e synimeve kombëtare nuk u ndal, por u shtua edhe më tej.

Sot në Ditën e Mësuesit, dhurata më e mirë që mund t’ua bëjmë paraardhësve tanë është ngritja e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, kurse dhurate simbolikë për të tashmen dhe të ardhmen, për nxënësit dhe mësuesit e Normales së Elbasanit, nga Fondacioni “Hasan Prishtina” është pikërisht busti i Heroit Kombëtar Hasan Prishtina, i cili nga sot do të qëndrojë pranë jush i derdhur në bronz.

Me lejoni që me respekt të veçante, me falënderim e mirënjohje, të ua urojë mësuesve Ditën e Arsimit Shqip, 7 Marsin.

Të ngjashme