Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbajti Gala Darkën e saj tradicionale të Bamirësisë, përmes të cilit biznese nga sektorë të ndryshëm dhuruan fonde për të ofruar mbështetje financiare për renovimin e hapësirave të Klinikës Pediatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës si dhe për shoqatat e personave të verbër.
Përveç kompanive anëtare të Odës Amerikane, të pranishëm në këtë ngjarje bamirësie ishin edhe ish-presidentja, Atifete Jahjaga, shefja e Misionit të USAID në Kosovë, Lisa Magno dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Ndërsa, ish kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Lorik Cana, ishte folës nderi në këtë ngjarje tradicionale, i cili përveç se përgëzoi Odën Amerikane për aktivitete të tilla të bamirësisë, foli edhe për Fondacionin e tij LC5, i cili synon mbështetjen e të rinjve për përfshirje në sport.
Fondacioni i Odës Amerikane arriti të mbledhë 36,550 euro, fonde të cilat do të shfrytëzohen për renovimin e hapësirave spitalore të Klinikës Pediatrike të QKUK përmes pajisjeve më moderne, si dhe për shoqatat e personave të verbër. Kompanitë anëtare që iu bashkuan kësaj iniciative të Odës Amerikane janë Coca-Cola HBC Kosova, Gjirafa Inc, Meridian Corporation, Devolli Corporation, Limak Kosovo, NLB Banka, Klinika Amerikane, KEDS, Banka për Biznes (BPB), Scardian, HIB Corporation, Orbi-Co, Proex, Railtrans, FINCA Kosovë, SCAMPA, Boga & Associates, Innovation Center Kosovo (ICK) dhe Banka TEB.