Më 15 shtator të këtij viti, Gjykata e Apelit ka njoftuar se e ka kthyer në rigjykimin rastin e njohur si “Fondi 3%”, ku ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LKD), Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil Bujar Bukoshi, akuzohen për veprën penale të shpërdorimit.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e Apelit të marrë më 13 korrik 2021, ku thuhet se shpallja e aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është bërë sipas aktakuzës së ngritur ndaj Naser Osmanit e Atdhe Gashit.
“Siç shihet edhe sipas aktakuzës dy të akuzuarit janë akuzuar për veprën penale shpërdorimi nga neni 257 par. 3 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, ndërsa në shpallje të aktgjykimit të njëjtit janë shpallur fajtorë për shkak të veprës penale shpërdorimi nga neni 257 par. 3 dhe par. 1 të KPRK-së, që do të thotë se shpallja e aktgjykimit nuk është bërë sipas aktakuzës së ngritur ndaj të njëjtëve të akuzuar sepse nuk është përfshirë neni 31 i KPRK-së (bashëveprimi).”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sipas gjykatës së shkallës së dytë, aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale.
“Kolegji penal i Gjykatës së Apelit vlerëson se aktgjykimi i ankimuar, duhet të anulohet dhe kjo çështje penale duhet që t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendim, pasi që aktgjykimi në fjalë është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase gjykata duhet analizuar çdo provë veç e veç, duke përfshirë tërësinë e tyre dhe saktësinë e provave kundërthënëse”, thuhet në vendimin e Apelit, duke shtuar se dispozitivi i aktgjykimit është i paqartë e përmban mangësi të theksuara.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Themelorja nuk ka arritur që në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme të vlerësojë të gjitha faktet që janë të rëndësishme për të nxjerrë konkluzione të drejta në lidhje me faktet vendimtare, e më pas të marr një vendim të drejtë në këtë çështje.
Tutje, Apeli ka gjetur se gjykata e shkallës së parë nuk i ka përcaktuar në mënyrë të saktë veprimet e dy të akuzuarve, e se vendimi është mbështetur në ekspertizën e rreshterit të hetuesisë Bujar Qorrolli, por që i njëjti nuk ishte gjetur si ekspert financiar në grupin e ekspertëve të caktuar nga gjykata, po se ishte ekspert financiar nga njësiti i hetimeve në Departamentin e hetimit të Krimeve Ekonomike. Për këtë të fundit, Apeli thotë se ka mundësi apo ka mundur të jetë i përfshirë në hetime të rastit, direkt apo indirekt, e që konform dispozitave ligjore eksperti duhet të caktohet nga radhët e ekspertëve financiarë të regjistruar në regjistrin e gjykatave përkatëse, të përcaktuar më aktvendim të gjykatës apo i licencuar nga organet kompetente të Kosovës.
“Kolegji i Gjykatës së Apelit për ti eleminura këto dilema sygjeron se duhet të caktohet grupi i ekspertëve të caktuar dhe licencuar nga gjykata apo organi përkatës duke marrë për bazë të gjitha dokumentet e prezantuara burimore të prezantuara nga organizata OJQ, UFORK, për të vërtetuar gjendjën financiare nga viti 2006-2015, por jo duke u shërbyer paraprakisht me dokumentacionet e pjesëshme nga ekspertet e mëparshëm, dhe të gjejnë dhe vërtetojnë se mjetet e tërhequra nga xhirollogaria e organizatës UFORK, se në çfarë forme dhe nga kush janë shpenzuar të njëjtat mjete si dhe gjetja dhe kanalizimi i tyre”, thuhet në vendim.
Në fund, Gjykata e Apelit i ka propozuar Themelores që në rigjykim të caktojë shqyrtimin gjyqësor, të evitojë shkeljet dhe të metat e cekura në vendim.
Ndryshe, në nëntor 2020 Osmani dhe Gashi ishin shpallur fajtorë për veprën penale të shpërdorimit, për çka ishin dënuar me nga 3 vite burgim.
Aktakuza ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Shabani–Rama, e cila më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.
Po në këtë seancë, gjykatësja Shabani-Rama kishte marrë vendim për veçimin e procedurës penale ndaj Bujar Bukoshit, me arsyetimin se ai ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundur të paraqitej në këtë shqyrtim fillestar.
Më pas, më 26 tetor 2018, gjykatësja Shabani-Rama kishte mbajtur edhe shqyrtimin e dytë ndaj të akuzuarve Osmani dhe Gashi, e të cilët brenda afatit ligjor kishin paraqitur kundërshtimet për provat dhe kishin ushtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës.
Mirëpo, gjykatësja Shabani-Rama, më 3 dhjetor 2018, kishte marrë vendim që të refuzoheshin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Lidhur me këtë, të akuzuarit Osmani dhe Gashi, kishin ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, e cila më 17 janar 2019, kishte refuzuar këto ankesa, duke konfirmuar aktakuzën në fjalë.
Ndërsa, më 18 janar 2019, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses së Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medie Bytyçi dhe më 13 mars të këtij viti, kjo lëndë nga Apeli, ishte kthyer në zyrën e kësaj gjykatëseje.
Ndryshe, PSRK kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të KPK-së, lidhur me par.31 të KPK-së, kundër Naser Osmani për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së dhe kundër të akuzuarit Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim që t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë, ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi janë transferuar në xhirollogarinë e “Fond de R. Kosova” në Prishtinë, në NLB, shumën prej 90,380,00 euro, ka tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Kosovës, në shumë prej 90,830,00 euro, po ashtu edhe shumën prej 3,500 euro, paguar për bileta, Ingrid Steiner Gashi, me 26 gusht 2019, që nuk dihet kush është, por jo punëtore e UFORK-ut.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.
Tutje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi se gjatë periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila u është besuar atyre, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për ta ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi transferuar në xhirollogarinë e OJQ UFORK, në Prishtinë, në BPB shumën prej 154,132,47 euro, i kanë tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën shumë me asnjë dëshmi nuk e kanë arsyetuar se për çfarë qëllime i kanë shfrytëzuar, duke mos e realizuar asnjë project, e me këtë e kanë dëmtuar buxhetin e Fondit 3% – UFORK-ut, e njëherit edhe bashkatdhetarët e Republikës së Kosovës, në shumë prej 154,132,47 euro.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Bujar Bukoshi, akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2015, në cilësinë e personit përgjegjës, Kryetar i Bordit të “UFORK-ut” dhe si i punësuar aty, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave të cilat ka qenë i obliguar që ti deklaroj në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe shuma e shmangies nga i akuzuari është 39,932,04 euro.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).
Në dispozitivin e katërt, Naser Osmani akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të të hyrave të tjera, e të cilat ka qenë i obliguar që këto të ardhura ti deklaron në ATK, si pasojë është dëmtuar buxheti i ATK-së – Republikës së Kosovës, me 3510 euro.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Naser Osmani se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave, dhe të hyrave të tjera, i njejti ka qenë i obliguar që këto të ardhura ti deklaron në Administratën Tatimore të Kosovës, shumë e shmangies nga i akuzuari është 2667.30 euro.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).
Po ashtu, Prokurori i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017.
Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi-Kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjell vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë, ashtu që kanë tërhequr shumën prej 154, 132,47 euro në kesh, nuk kanë arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës.