Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë njofton të gjithë aplikantët në listë të pritjes për subvencionim të masave të efiçiencës së energjisë në shtëpi individuale, që duhet të konfirmojnë interesimin e tyre për të përfituar nga kjo masë, deri më 23.06.2024.
Aplikantët, gjithsej 1010, kanë pranuar email nga ana e FKEE-së të premten (14.06.2024), në të cilin është i bashkëngjitur linku me formularin për shprehje të interesit.
Të gjithë aplikantët që nuk plotësojnë këtë formular, humbasin të drejtën për të vazhduar tutje me procedurat drejt përfitimit të subvencionimit të masave të efiçiencës në shtëpitë e tyre.
Rikujtojmë se thirrja fillestare për përfitim nga subvencionimi i mundësuar nga Bashkimi Evopian dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ka qenë aktive nga data 8 gusht 2023 dhe në bazë të kushteve të thirrjes, konkretisht të pikës 2.1 “Aplikimi pa Raport të Auditimit të Energjisë”, është thënë se:
“Në rast se aplikanti, për çfarëdo arsye, nuk ka gjetur një auditor të çertifikuar të energjisë për të bërë auditimin e thjeshtëzuar të energjisë (walk-through audit), ai aplikacion do të vendoset në listë të pritjes, ndërsa shqyrtimi i tij i mëvonshëm do të merret parasysh nëse plotësohen dy kushtet e mëposhtme:
• Buxheti i destinuar për thirrjen ende nuk është shpenzuar; dhe
• Kontraktimi i Auditorëve të Energjisë bëhet nga ana e FKEE-së“.
Për informacione të tjera ju ftojmë të kontaktoni FKEE-në përmes email adresës [email protected].