Fondi i Pavarur i Norvegjisë regjistron humbje rreth 18 miliardë euro

Prishtinë | 19 Gus 2020 | 08:08 | Nga Ekonomia Online

Fondi i Pavarur i Norvegjisë, që është një nga fondet më të mëdha të pasurive shtetërore në botë, njofton se në gjysmën e parë të vitit 2020 ka regjistruar një humbje në investime prej 17.6 miliardë euro apo 188 miliardë korona norvegjeze.

Sipas një deklarate të Fondit, humbja ishte kryesisht për shkak të rënies së vlerës së aksioneve dhe portofolit të pasurive të paluajtshme në kohën e pandemisë COVID-19.

Në pjesën e parë të këtij viti, Fondi regjistroi një humbje në investime prej 3.4 për qind. Fitimet në portofolin e kapitalit neto ranë me 6.8 për qind, kurse rënien më të madhe deri në 33.1 për qind e regjistruan aksionet e kompanive të naftës, që erdhën për shkak të rënies së çmimit të saj.

Zëvendësdrejtori i këtij Fondi, Trond Grande tha që kishte luhatje të mëdha në tregun e aksioneve në gjysmën e parë të këtij viti.

“Ne e filluam vitin me optimizëm, por me përhapjen e virusit COVID-19 në të gjithë botën, perspektiva në tregun e aksioneve ndryshoi shpejt. Tregjet më pas treguan një rimëkëmbje të mirë në tremujorin e dytë, por ne akoma jemi dëshmitarë të një pasigurie të madhe”, tha Grande.

Fondi i Pavarur i Norvegjisë është themeluar në vitin 1990 për të investuar të ardhura nga shitja e naftës dhe gazit. Përfshinë aksionet e pronësisë të 9,200 kompanive nga e gjithë bota.

Të ardhurat nga Fondi përdoren gjithashtu për të paguar pensione për shtetasit norvegjezë, ku janë rreth 180 mijë dollarë në kursime pensionale për secilin qytetar të këtij vendi.

Të ngjashme