Fondi Kosovar për Garanci Kreditore brenda një muaj shpërndau rreth 110 kredi me vlerë prej 4.4 milionë euro

Prishtinë | 28 Shk 2021 | 08:06 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori ekzekutiv i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), Besnik Berisha, tha se nëpërmjet garantimit të portofolit kreditor të bankave partnere kanë arritur të ndihmojnë në lehtësimin e qasjes në financa për bizneset vendore, ku brenda një muaji kanë shpërndarë në afërsish 110 kredi me vlerë prej 4.4 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Berisha në një intervistë për Ekonomia Online, tha se FKGK-ja ka qenë aktive në përkrahjen e bizneseve edhe gjatë periudhës së pandemisë, ku gjatë kësaj kohe Fondi ka rritur mbulueshmërinë me garancion kreditor deri në 80% të vlerës së kredisë, krahasuar me vlerën e mëparshme të mbulueshmërisë prej 50%.

“Fondi Kosovar për Garanci Kreditore ka qenë vazhdimisht aktiv që nga perioda kur janë shfaqur rastet e para të infektimit në Kosovë. Gjatë gjithë kohës së pandemisë përkundrazi të paditura dhe të papriturat që i kemi përgjatë asaj periudhe ne kemi vazhduar të operojmë në mënyrë aktive me dy dritare, me dy skema garantuese që kanë qenë aktive në atë kohë. Kemi fjalën për skemën garantuese apo dritaren e rregullt dhe skemën garantuese apo dritaren agro, po ashtu kemi qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me Qeverinë e Kosovës më konkretisht me Ministrinë e Financave dhe kemi ofruar gjithë infrastrukturën ligjore. Gjithë potencialin tonë dhe përvojën tonë që e kemi për të ndihmuar dhe për të ofruar institucionin me qëllim që të luftojë impaktin dhe krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia Covid-19. Si rezultat kemi dorëzuar propozimin në bashkëpunim me grupin punues për përpilimin e programit për Rimëkëmbje Ekonomike në kuadër të cilit është paraparë një rol të veçantë ta ketë Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, më konkretisht objektivi apo qëllimi i rritjes së qasjes në financa për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme, ky do të ishte roli i FKGK-së. Është paraparë që të ketë edhe modifikime apo adaptime të infrastrukturës ligjore me qëllim që skemat garantuese të këtij institucioni t’i përshtaten realitetit të ri të krijuar si rezultat i pandemisë. Çka nënkuptohet më këtë? është që të rritet mbulueshmëria me garanci kreditore nga 50 % sa ka qenë në Ligjin për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore në 80%, me ç’rast do t’i ofrohej më shumë besueshmëri tregut, më shumë konfindenc bankave në mënyrë që ta rrisin kreditimin, të fusin më shumë para në treg dhe ta luftojnë mungesën e likuiditetit në treg. Kjo ka qenë ai ndryshimi kryesor në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike që ka prekur FKGK-në”, tha ai.

Fondi për Garanci Kreditore ka arritur që të ju mundësoj garantim bizneseve agro që nuk kanë qenë të regjistruar në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

“Ndryshimi tjetër ka qenë të ju mundësohet garantim fermerët të cilët nuk kanë pasur biznes të regjistruar në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, mirëpo janë të identifikuar vetëm me numër identifikues të fermerit, me ç’rast ne mendojmë që përmes dritares së agros ne do t’i ndihmojmë edhe kësaj kategori të klientëve, duke e ditur që bujqësia ka një rol të rëndësishëm në Ekonominë e Kosovës dhe pritjet janë që edhe më tutje të rritet ky rol nga sektori i bujqësisë. Dhe ndryshimi i tretë që po ashtu është i rëndësishëm është bërë në bashkëpunim më Ministrinë e Financave që t’iu mundësohet bankave subvencionimi i tarifës së garancionit në mënyrë që kjo skemë garantuese apo ky fasilitet që ndihmon kreditimin të reflektohet edhe në kushtet më të mira për kredimarrje nga bizneset private dhe e gjitha kjo e përmbledh në një far forme aktivitetin e FKGK-së gjatë fazave të hershme të pandemisë dhe gjatë periudhës së Rimëkëmbjes Ekonomike”, u shpreh Berisha për EO.

Sipas drejtorit të FKGK-së, se në pakot e Rimëkëmbjes Ekonomike të këtij fondi, bizneset mund të marrin kredi në shtatë bankat komerciale kryesore të Kosovës. Deri më tani Berisha thotë se janë lejuar 4.4 milionë euro kredi.

“Ne kemi fillua me pakot e Rimëkëmbjes, do me thënë në kuadër të kësaj pako janë pesë dritare që targetojnë sektor të veçantë të ekonomisë, shtatë banka komerciale kanë lidhur marrëveshjen dhe janë duke shfrytëzuar dritaret në kuadër të pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike ndërsa jemi ne fazën finale të nënshkrimit të marrëveshjes edhe me bankën e tetë. Kanë fillua përdorimin, deri më tani përafërsisht 1 muaj prej kur kanë filluar të përdoret kjo dritare, kjo pako janë lejuar 4.4 milionë euro, të shpërndarë në afërsish 110 kredi dhe realisht është në implementim e sipër dhe është aktive në shtatë banka kryesore në tregun e Kosovës ju ofrojnë këto garancione kreditore nga FKGK në kuadër të programit apo pakos të Rimëkëmbjes Ekonomike”, tha ai.

Limiti kreditor që FKGK-ja mund të garantojë është 1 milion euro, ndërsa garancioni kreditor është 250 mijë euro, në përjashtim të bizneseve në sektorin e prodhimit, për të cilët garancioni kreditor shkon në 500 mijë euro.

“Po ka limit të shumës, do me thënë limiti kreditor maksimal të cilin ne mund të garantojmë është 1 milion euro ndërsa garancioni kreditor është 250 mijë euro. Shkon deri në 80% për aq kohë sa nuk e kalon 250 mijë euro limitin maksimal garantues. Një përjashtim është për ndërmarrjet prodhuese të cilët në bashkëpunim me Bordin e Drejtorëve të FKGK-së jemi treguar më liberal në mënyrë që të jetë një mbështetje më e madhe për këto ndërmarrje dhe për ndërmarrjet që hyjnë në sektorin e prodhimit ky limit i garancionit kreditor shkon në 500 mijë euro. Duke pasë parasysh që këto ndërmarrje mund të kenë investime më të mëdha atëherë është mundësuar një rritje më e madhe e limiti të garancionit kreditor për një transaksion apo për një kredi”, tha Berisha.

Të ngjashme